Një pjesë e kryetarëve të rinj të komunave nga LSDM-ja, me fillimin e vitit 2018 u pajisën me makina të reja luksoze. Vetëm pas disa muajsh të kaluar në kolltuqet e kryetarëve të komunave, ndër hapat e parë është edhe blerja e makinave.
Kryetari i komunës Novaci, Ljube Kuzmanovski do të vozitet me automjet prej 2 milion denarësh ose mbi 30 mijë euro. Në Byronë për prokurime publike tashmë është publikuar Marrëveshja e lidhur. Shkoda Superb 2.0 TDI me një motor prej 150 kuaj-fuqi është pjesë e makinave të komunës së vogël, në afërsi të Manastirit. Komuna Novaci do ta paguajë makinën në tre këste.
Makina të reja ka blerë edhe kryetari i Komunës së Strumicës, Kosta Janevski, edhe atë dy. Dhe ai, si kolegu i tij nga Novaci, vendosi për markën Shkoda. Në lizing kanë marrë makinë të re Shkoda Oktavia me vlerë 17 mijë euro. Por ata gjithashtu u pajisën me Shkoda Superb të përdorur në vlerë prej pothuajse 29 mijë euro nëpërmjet kompanisë Porshe Lizing, Shkup. Ndryshe nga Kuzmanovski dhe Janevski, kryetari i komunës së Butelit Velimir Smilevski ishte më modest.
Ai ka blerë një Pezho 208 Aktiv për 11 mijë euro, si dhe dy makina pik-ap me vlerë prej 9 mijë eurosh secila.
Më parë, kryetari i bashkisë së Strugës, Ramiz Merko publikoi shpallje për blerjen e makinave. Edhe pse komuna është e futur në borxhe mbi 7 milion euro, vetëqeverisja lokale ka vendosur të shpenzojë mbi 100 mijë euro para të popullit për blerjen e katër makinave.
Midis tyre është një limuzinë luksoze. Timon lëkure, senzorë shiu, ulëset e lëkurës janë pjesë e karakteristikave që i theksoi administrata e Merkos.
Megjithëse komuna përballet me probleme shumë më të mëdha si deponia dhe problemet e shpeshta me ujin e pijshëm, Struga nuk ka hequr dorë nga plani për të marrë makina të reja, megjithëse kanë 10 makina dhe një furgon.
Rrjeti i gazetarisë hulumtuese BIRN Maqedoni pothuajse një muaj më parë njoftoi se Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një donacioni nga Republika Çeke, në katër sy bleu Shkoda të reja për policinë.
Hulumtimi i tyre tregoi se firma nga Kumanova, e cila nuk është importues i autorizuar i markës çeke Shkoda, por një shitës, megjithatë ka qenë më konkurruese si ofertë. “Deluks – Auto” sipas BIRN ishte gjithashtu një donator i LSDM-së në vitin 2016./am/