Ballina Argëtim Kuriozitete Kujdes! Në këto shtete bakshishi konsiderohet ofendim

Kujdes! Në këto shtete bakshishi konsiderohet ofendim

Bllogu i udhëtimit e turizmit ‘Sonnenklar.tv’ ka analizuar për “Bild.de” bakshishet e 50 vendeve të botës, mes tyre edhe Kosovës dhe Shqipërisë, njofton albinfo.ch.

Në 41 nga 50 shtete, dhurata e “bakshishit” është e zakonshme, nëse shkohet në restorant, në hotel ose taksi.

Në shtete si Norvegjia, Danimarka, Suedia, Finlanda, Kazakistani, Sllovenia, Estonia, Luksemburgu, Islanda, Zvicra dhe Holanda, për tej kushteve të mira financiare përqindjet e bakshisheve ndryshojnë.

Sa duhet të jepen?

Në Lihtenshtajn bakshishi varion nga tre deri pesë përqind për taksistët dhe restorantet – për vendin në fjalë, kjo shifër është tepër e “lirë”.

Pesë deri në dhjetë përqind

Në shumicën e vendeve europiane për taksistët dhe restorantet jepen pesë deri në dhjetë përqind më shumë, ndërsa edhe për valixhet dhe shërbimin në dhomat e hoteleve, është e zakonshme të jepet një obolus i vogël.

Në të gjitha rastet kjo vlen në Shqipëri, Belgjikë, Gjermani, Francë, Itali, Letoni, Lituani, Maltë, Monako, Portugali, Rumani, Sllovaki dhe Spanjë.

Në Greqi, Irlandë, Kosovë, Poloni dhe Serbi si rregull vlen dhurata dhjetë përqind mbi faturën. Me dhjetë deri 15 përqind qëndrojnë vendet si Bullgaria, Çekia, Britania e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në Turqi dhe Kanadë për një shërbim të mirë duhet të jepen 15 përqind, në Hungari është variabile nga dhjetë deri 20 përqind. Në SHBA bakshishi nuk është vetëm i zakonshëm, por bile edhe i pritshëm dhe “kërkues”. Bakshishi në SHBA shkon deri në 20 përqind, ndërsa në taksi deri 18 përqind.

Bakshishi si nënvlerësim

Ka edhe shtete në të cilat kamarieri ose taksisti e quajnë nënvlerësuese bakshishin: Kina dhe Japonia. Në këto vende zakonisht nuk jepen bakshishe, megjithatë kamarierët, taksistët dhe punonjësit e hoteleve në këto vende, arrijnë të mirëkuptojnë turistët perëndimorë kur ju ofrojnë pagesë më të madhe sesa fatura.