Dy partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja “Vetëvendosje”, tashmë janë shprehur të gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Që të dyja kanë paralajmëruar se gjatë javës do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për ta iniciuar mocionin për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinajt.
Lidhja Demokratike e Kosovës këtë javë mund të nisë zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për ta iniciuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë.
Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e LDK-së për gazetën “Zëri”, të cilët kanë thënë se brenda kësaj jave do të kristalizohen shumë gjëra sa i përket nismës për rrëzimin e Qeverisë.
Tashmë pro mocionit dhe rrëzimit të Qeverisë gjatë ditës së djeshme është deklaruar edhe lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.
“LVV-ja është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e Qeverisë”, ka deklaruar Kurti.
Përfaqësues të LDK-së kanë bërë të ditur se ende janë duke i pritur partitë politike që të deklarohen nëse janë për ta caktuar një datë të përbashkët për zgjedhje të parakohshme.
Në rast se nuk ndodh një gjë e tillë, sipas zyrtarëve të LDK-së, ky subjekt do të veprojë njëanshëm.
Megjithatë analistët politikë mbeten skeptikë nëse kjo nismë do të jetë efektive, pasi për të ardhur deri te realizimi nevojiten edhe votat e GDP-së dhe të Listës Serbe.