Plumbat nuk i përdori veç në vijë të frontit. Ish-luftëtari Nijazi Bytyçi nga Marashi i Ferizajit, e përdori edhe një për vete , kur vendosi t`i japë fund jetës së tij.
I lodhur nga shëndeti i ligë, që i pamundësoi edhe ndërtimin e një shtëpie për familjen e trajtim më të mirë mjekësor për vete , veterani dhe invalidi i UÇK’së 40 vjeçar, nuk duroi më.
Ai la Gjermaninë për t`iu bashkuar shokëve të tij , në luftën për çlirimin e Kosovës nga forcat serbe.
E pas luftës mbeti nen mëshirën e njerëzve vullnetmirë, që i ndërtuan shtëpi.
Gëzimi i tij ishte i madh kur mori vesh se po bëhet me kulm mbi kokë , aq sa ishte edhe zhgënjimi që nuk po mund t`ia dilte i vetëm.
Nijaziu la pas gruan me tre fëmijë, duke i lënë me dhimbje të madhe e pa ato pak të ardhura që grumbullonte, kur punonte si taksist.
Por Nijaziu nuk është i vetmi që pas sakrificës që bëri për çlirimin e vendit , nuk ia doli të ketë jetë të mirë për vetën e familjen.
Me dhjetëra si ai , përdorën plumba , litar e metoda të tjera , që të pushonin se jetuari.
Lajmet përhapeshin shpejtë e vetëvrasjet e ish luftëtarëve përjetoheshin fort rëndë nga bashkëluftëtarët në Organizatën e Veteranëve të UÇK’së.
Kryetari i saj bëri një listë me emrat e veteranëve të UÇK’së që u vetëvranë e të njëjtën e ndau edhe me Expressin.
E duke e përjetuar luftën për se afërmi , duke parë bashkëluftëtarët tek vriten , ndjeshmëria e veteranëve është e madhe .
Më shumë ua shton dëshpërimin fakti që shumë nga komandantët qëndrojnë mirë financiarisht dhe dallimi në të ardhura është i madh.
Kjo pranohet edhe nga Ngucati .
Por sipas invalidit të UÇK’së Xhevdet Qeriqi, numri i veteranëve të vetëvrarë është edhe më i madh se ai që paraqitet ne opinion.
Qeriqi tha se këtë e hulumtoi mirë , si numrin ashtu edhe arsyet.
E veteranët tanë , pak e hiç u vizituan tek psikologët , një gjë e tillë u fol një herë dhe u harrua.
Me ta nuk u mor kush e nuk merret , qe të kenë një adresë ku do të mund të merrnin trajtim.