Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar 2.96 miliardë dollarë për t’iu ndihmuar miliona njerëzve që kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare në Jemen.
“Jemeni po përballet me krizën më të vështirë humanitare”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në një konferencë në Gjenevë.
Ai e ka cilësuar situatën në këtë shtet “katastrofike”.
Jemeni është bllokuar në një konflikt në mes të qeverisë së presidentit, Abd-Rabbu Mansur Hadi, që mbështetet nga koalicioni i udhëhequr nga sauditët dhe rebelëve huthi që përkrahen nga Irani
Më shumë se 10,000 jemenë janë vrarë nga fillimi i intervenimit të koalicionit më 2015 ndërsa 22.2 milionë persona kanë nevojë për ndihmë humanitare.
“Ndihmat duhet të jenë në gjendje të arrijnë tek ata që kanë nevojë më së shumti, pa kushte”, ka thënë Guterres.
“Të gjitha portat duhet të jenë të hapura për nisjen e ndihmës humanitare, mjekësore, ushqimit dhe karburantit në mënyrë që ndihmat të dërgohen në rajonet që është e nevojshme”, ka thënë ai./sn/