Iniciativa e deputetëve të BDI-së për themelimin e një Komisioni parlamentar i cili do të rishikonte procesin gjyqësor të Almir Aliut, e dorëzuar më 22 mars në Kuvend, ka mbetur në vend numëro.
Iniciativa për themelimin e Komisionit Anketues ose të Grupit Punues në Kuvend, erdhi në kohën kur u bë rikualifikimi i lëndës për rastin e Almirit, me çka i akuzuari Boban Iliç, i cili akuzohej për veprën“vrasje” tanimë ngarkohej me veprën “aksident trafiku, me pasojë vdekjen”.
Deputetëve të BDI-së dhe avokatët e familjes Aliu, pas rikualifikimit të lëndës, realizuan një takim nga ku edhe doli ideja për këtë iniciativë që parashihte një grup pune ku do të përfshiheshin deputetët nga të gjitha grupet parlamentare, Ministria e Drejtësisë, MPB-ja, Avokati i Popullit dhe përfaqësues nga familja Aliu, e që kishte për qëllim të ofronte zgjidhje institucionale për të adresuar të gjitha paqartësitë lidhur me të.
Ekipi ynë pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Themelore të Kumanovës, ku i akuzuari Boban Iliç u dënua me vetëm gjashtë vjet burg, sot tentoi të kontaktojë me deputetët e BDI-së për të pyetur se deri ku ka arritur kjo iniciativë. Por, as deputeti Artan Grubi dhe as Ejup Alimi nuk u përgjigjën thirrjeve tona.
Familjarët e Almirit thonë se pas takimit të realizuar mes deputetëve të BDI-së dhe avokatëve të tyre, ky komision nuk u është përmendur më asnjëherë.
Ndërkaq, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, në një bisedë telefonike tha se lajmin se edhe ai do të jetë pjesë e këtij komisioni e ka mësuar prej mediave, ndërkaq lidhur me të njejtin nuk është kontaktuar asnjëherë.
Në Komisionin parlamentar për rishikim të procesit gjyqësor të Almir Aliut, do të shqyrtoheshin të gjitha elementet në të gjithë procedurën, përfshirë marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe pjestarëve në procesin gjyqësor me qëllim të zbardhjes së të vërtetës.
Kujtojmë se komision të ngjashëm parlamentar BDI-ja kishte iniciuar më herët edhe për rastin e Sopotit, por kjo strategji nuk ndikoi në zbardhjen e plotë të rastit. Kujtojmë se sopotasit u liruan nga akuzat rreth dy javë më parë, 15 vjet pas rastit, edhe atë pasi që Prokuroria Speciale mori kompetencat për këtë rast dhe tërhoqi akuzat në mungesë të provave. /SHENJA/