Takimi historik mes udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, përfundoi me angazhimin e përbashkët për çarmatimin bërthamor dhe paqen në gadishullin korean. Ekspertët i thanë shërbimit korean të Zërit të Amerikës se ndërkohë që ky takim përgatit terrenin për samitin mes Presidentit Trump dhe Kim Jong Unit, do të ishte mirë që Shtetet e Bashkuara të tregohen të kujdesshme.
Pas një shkrirjeje të shpejtë të tensioneve, udhëheqësit e Koresë Veriut dhe Koresë së Jugut përshëndetën një “epokë të re paqeje”.
Në Uashington, Presidenti amerikan Donald Trump lavdëroi hapin më të fundit diplomatik të udhëheqësit koreanoverior.
“Nuk mendoj se po bën lojë dhe e dini se nuk është arritur ndonjëherë kaq shumë”, tha Presidenti Trump.
Dje, Kim u bë udhëheqësi i parë koreanoverior që shkeli përtej kufirit me Korenë e Jugut. Gjatë takimit historik me Presidentin Moon Jae-in, u ra dakort të punojnë për eliminimin e të gjitha armëve bërthamore nga gadishulli korean. Por, asnjëra nga palët nuk dha detaje të mëtejshme dhe nuk pati angazhime konkrete.
Ekspertët thonë se fjalët nuk mjaftojnë.
“Deri më tani kemi vetëm premtime. Nuk kemi ndonjë hap konkret të ndëmarrë nga Veriu, përveç faktit që kanë shtyrë për disa muaj testimet bërthamore dhe të raketave”, thotë Dennis Wilder, i Universitetit Georgetown.
Armët bërthamore të Koresë së Veriut janë shndërruar në problemin kryesor të marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni filloi një fushatë presioni maksimal, me sanksione të rënda dhe kërcënime të shpeshta për përdorimin e forcës ushtarake, për ta bindur Veriun të heqë dorë nga programi bërthamor.
Disa javë përpara një takimi të mundshëm me udhëheqësin koreanoverior, Presidenti Trump thotë se ndjen një përgjegjësi personale për ta bërë botën më të sigurtë.
“Është vërtet diçka që shpresoj ta arrij për botën. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Shtetet e Bashkuara. Ky është një problem botëror që shpresoj ta zgjidh”, tha Presidenti Trump.
Koreja e Veriut ka ndërmarrë angazhime të ngjashme në të kaluarën. Megjithë mungesën e rezultateve, gjenerali në pension Jack Keane thotë se ia vlen të përpiqemi sërish.
“Për hir të gadishullit dhe të botës, ia vlen përpjekja. Askush nuk di si do të shkojë, por e kemi një mundësi që nuk e kemi patur më parë. Ky është ndryshimi”, thotë gjeneral Keane.
Presidenti Trump këmbëngul se fushata e presionit maksimal do të vazhdojë derisa Veriu të ndalojë programin e armëve bërthamore.