Mike Pompeo, drejtori i CIA-s në pritje të konfirmimit të Senatit për të marrë postin e Sekretarit të Shtetit, ka takuar në mënyrë të fshehtë liderin koreano-verior Kim Jong-un.
Lajmin e bën të ditur Washington Post, i cili saktëson se vizita e Pompeos në Penian ka ndodhur gjatë fundjavës së Pashkëve.
Takimi i një prej njerëzve më të besuar të presidentit amerikan dhe liderit të regjimit koreanoverior vjen në kuadër të përpjekjeve që po bën administrata Trump për të përgatitur terrenin për takimin e nivelit të lartë Trump – Kim Jong-un. Ky takim pritet t’i japë zgjidhje çështjes së programit bërthamor të Penianit.
Takimi Pompeo-Kim Jong-un është takimi i dy zyrtarëve më të lartë mes dy vendeve që nga viti 2000, kur sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, u takua me Kim Jong-il, babai i Kim Jong-un.
Takimi i Trump me liderin e Koresë së Veriut pritet në qershor.
Ndërkohë, presidenti kinez, Xi Jingping do të zhvillojë gjithashtu një vizitë në Penian. Lajmin e ka bërë të ditur CNN, i cili i referohet një zyrtari anonim.
Kjo do të jetë vizita e parë e presidentit kinez në Korenë e Veriut, që prej kohësh kur mori drejtimin e Partisë Komuniste kineze në nëntor të vitit 2012.(TemA TV)