Sot papritur ndërroi jetë veprimtari dhe gazetari i mirënjohur Mehmet Latifi. Ai ishte një nga penat e shquara të gazetarisë, ndërsa që nga themelimi i agjencisë së lajmeve INA ishte një nga gazetarët dhe bashkëpunëtorët e rregullt, me shkrimet e tij të dalluara për realitetin dhe përditshmërinë tonë. Ai deri në momentet e fundit të ushtrimit të profesionit nuk u ndal duke qenë një reporter, analist dhe publicist i dalluar me shkrimet e tij. Përmes këtij shkrimi shprehim edhe telegramin e ngushëllimit:
“Me pikëllim dhe dhembje të madhe e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit Mehmet Latifi. Ai me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të kaluara, ka dhënë kontribut të madh për gazetarinë shqiptare. Mehmeti Latifi do të përkujtohet gjithnjë si një profesor frymëzues për breza të tërë të gazetarëve shqiptarë në Maqedoni, Kosovë dhe më gjerë, për punën dhe kontributin e madh në fushën e gazetarisë. Duke shprehur ngushëllimet në të sinqerta në emër të agjencisë së lajmeve INA, theksojmë se ndarja e tij nga jeta është humbje dhe pikëllim i thellë për ne, familjen, miqtë, për kolegët dhe për gjithë trevat tona. Kujtimi për ju do të ngelet i paharrueshëm. Zoti e shpërbleftë me parajsë”.
Mehmet Latifi ndërroi jetë në moshë 69 vjeçare, i njohur si doajeni i gazetarisë strugane, Mehmet Latifi. Gjatë karrierës së tij të pasur gazetareske, Latifi ka punuar si korrespodent nga Struga i disa mediumeve të njohura, por vite me radhë i agjencisë së lajmeve INA. Latifi ishte i njohur për mikpritjen e tij që ua bënte ekipeve gazetareske të gjitha mediumeve shqiptare dhe ndërkombëtare që vizitonin Strugën. Angazhimi i tij për afirmimin e këtij qyteti shqiptar në Maqedoni ishte i dipërditshëm. Krahas kësaj, Latifi ishte një nga lidhje më të forta dhe më direkte të arbëreshëve të Zarës me trungun shqiptar. Ai vazhdimisht kishte shkruar për komunitetin arbëresh në Zaër të Kroacisë, kurse ishte edhe mik i afërt me albanologun e njohur Aleksandar Stipçeviq.
Mehmet Latifi kishte lindur në Preshevë në vitin 1949, kurse tërë karrierën e tij gazetareske e ngriti dhe e kaloi në Strugë. Vdekja e tij paraqet humbje të madhe për gazetarinë shqiptare në Maqedoni. (INA)