Janë mbushur 17 vjet nga vrasja e Ramiz dhe Ramadan Koraçit, babë e bir nga Tetova, të cilët u vranë në mënyrë brutale nga forcat speciale maqedonase në afërsi të stadiumit të Tetovës. Ngjarja e 21 marsit të 2001 kishte shokuar edhe opinionin botëror, pasi që pamjet u xhiruan edhe nga shumë media prestigjioze botërore, informon INA.
“Ishte mëngjes kur u zgjova, ne ishim të strehuar te banesa e hallës sime, ngase në lagjen tonë në Drenovec, bëhej luftë. Kisha shumë frikë se do të vdes nga krismat që dëgjoja, sepse isha fëmijë, vetëm 10 vjeçe. Ishim të kompletuar e gjithë familja, kurse gjyshi dhe babai im ishin me ne pranë në kohën kur hëngrëm mëngjesin. Gjyshi Ramizi dhe babai Ramadani donin të shkonin te shtëpia për të marrë valixhet. Dolën nga banesa dhe nuk u kthyen më.”, thotë Tahire Koraçi, vajza e madhe e Ramadanit.
Ajo thotë se e ka ndjerë shumë keq vrasjen makabre dhe se ata ishin të pafajshëm, nuk mbanin armë dhe nuk rrezikonin askënd. “Ishin çaste të vështira, trishtim…Shumë vështirë e përballuam edhe pse isha ende e vogël.”, theksoi Tahirja.
Në shtëpinë e kësaj familje kanë ngelur katër anëtarë edhe atë bashkëshortja e Ramadanit, Sahadetja, vajzat Tahirja dhe Elira si dhe djali Lulzimi.
Në këtë familje, rrallë herë ndodh që të shkel këmba e ndonjë politikani apo funskionari, madje ata shpesh harrojnë edhe të përkujtojnë herronjtë e parë të luftës së 2001-it. Barra për të rritur tre fëmijët ka ngelur në supet e Sadete Koraçit, bashkëshortja e Ramadanit, që jeton me një ndihmë sociale.
Sot e kësaj dite nuk jepen sqarime në lidhje me këtë vrasje, ndërsa atë kohë, arsyetimi i policies ishte se dy shqiptarët kishin pasur me vete bombë, arsyetim ky sipas familjarëve ishte banal, pasi përveç nga dëshmitarët okularë, edhe nga shikuesit tjerë u pa se ata nuk kanë pasur bombë, por vetëm celularë. (INA)