Mbeturina, trotuar i uzurpuar, qen endacak që vinë pas mbeturinave dhe rrugë komunikacion të ngarkuar, këto janë rreziqet me të cilat për çdo ditë përballen prindërit që dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhen “Mlladost” në Tetovë. Ankesa deri tek Komuna, siç thonë, kanë bërë disa herë por kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Kjo duhet të mënjanohet, ka reagime edhe nga prindërit. Nuk i ka hije kështu, çerdhja është 20 metra pranë saj”.
“Shumë herë kemi ngritur nismën edhe tek komuna edhe vende tjera por kot, gjithnjë e më keq bëhet. Në moment do e pastrojnë pastaj sërish e njëjta gjë bëhet. Nuk ndjehemi aspak rehat sepse si e para higjiena nuk është në rregull, pastaj kjo është çerdhe, mund t`i dislokojnë kontejnerët në vend tjetër”.
“Këto kontejnerët këtu janë problem i madh sepse bëhet fjalë për fëmijë, plus edhe rruga problem veturat ngasin me shpejtësi të madhe kurse ne me fëmijë vijmë nga mosha e vogël e deri në 6 vjeç. Ka ca vetura të parkuara dy apo tre vjet rrinë aty”.
“Edhe aromë e keqe, edhe papastërti e madhe këtu. Kush dëshiron sjellë mbeturinat këtu. Duhet të merren masa sa më shpejtë”.
Drejtoresha e çerdhes për Alsat shprehet se disa herë kanë intervenuar duke i larguar kontejnerët nga aty por banorët e lagjes gjatë natës i kthejnë në vendin e vjetër.
Kam kërkuar të dislokohen kontejnerët por në momentin që s`kanë pas ku t`i hedhin, njerëz të asaj lagjeje njëjtë i kanë kthyer sërish aty. Dhe nuk kemi mundësi që gjithnjë të merremi me to që t`i kthejmë ku e kanë vendin. Edhe ata të Ndërmarrjes nuk kanë çka bëjnë, sepse ditën i heqin ndërsa në mbrëmje na i kthejnë sërish aty – tha Ramie Dauti, drejtor i Çerdhes.
“Ndërkohë që, aroma e keqe dhe mbeturinat në rrugë mbledhin edhe qentë endacak, që rrezikojnë edhe më tepër fëmijët”.
Qyteti i Tetovës ka gjithsej katër çerdhe komunale në të cilat janë të sistemuar rreth 1070 fëmijë. Mbeturinat para hyrjeve dhe bllokimi i trotuareve nga makinat, është evident pothuajse në secilën prej tyre.
Bashkim Sulejmani