Zhytësit e ekipeve të shpëtimit, të zjarrfikësve e të njësiteve të FSK-së, janë duke vazhduar kërkimet në lumin Lepenc në tentim të gjetjes së trupave të dy policëve të zhdukur pas aksidentit të së shtunës.
Aktualisht ekipet kanë arritur te lisi barrikadues përtej kufirit të Kosovës në territorin e Maqedonisë, pistë kjo e cila, sipas tyre, afron gjetjen e dy trupave të zhdukur.
Po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Malsor Dashi dhe Armend Trena, të zhdukur të shtunën mbrëma pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit. Me fillim nga ora 09:00, Policia e Kosovës bashkë me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe qytetarë kanë nisur kërkimet e policëve të zhdukur.
Sipas Policisë së Kosovës vetura e tyre për shkaqe ende të panjohura kishte humbur kontrollin, duke dalë kështu nga rruga dhe duke përfunduar në lumin Lepenc nga një lartësi mjaft e madhe.
Institucionet e shtetit duke ofruar ndihmën e nevojshme, duke mos munguar asnjëherë edhe ndihma e qytetarëve të shumtë, të cilët edhe mbrëmë në orët e vona të natës ndezën reflektorët dhe kërkuan për orë të tëra për dy pjesëtarët e policisë. Kërkimi për Dashin dhe Trenën ka vazhduar edhe përtej Kosovës, në Maqedoni.