Komisioni Evropian bëri thirrje për heqjen e tarifave amerikane për çelkikun dhe aluminin dhe tha se vendimi i presidentit, Donald Trump për të zgjatur masat e tarifave edhe për një muaj, krijon pasiguri për bizneset.
Komisioni tha përmes një deklarate për media se ka analizuar vendimin e Trumpit që tarifat ndaj Bashkimit Evropian të jenë në fuqi deri më 1 qershor.
“Vendimi i SHBA-së zgjat pasigurinë e tregut, i cili tashmë është i prekur nga këto vendime”, thuhet në deklaratë.
“Bashkimi Evropian duhet të jetë plotësisht dhe përgjithmonë i përjashtuar nga këto masa, pasi ato nuk mund të justifikohen në bazën e sigurisë kombëtare”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se kapaciteti i tepërt i çelikut dhe aluminit nuk vjen vetëm nga Evropa.