Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë më shumë se dy vjet larg por kjo nuk e ka penguar presidentin Donald Trump dhe as një grup të madh kandidatësh të mundshëm demokratë që të mendojnë për garën e 2020-ës. Korrespondenti, Jim Malone sjell më shumë hollësi nga Uashingtoni.
“Parrulla jonë e re për 2020-ën është ta mbajmë Amerikën madhështore”.
Presidenti Trump ofroi në Indiana një sinjal për temën e fushatës për rizgjedhje të tij.
Por presidenti është qartësisht i shqetësuar për zgjedhjet e këtij viti për Kongresin, ku demokratët e opozitës ka gjasa të sigurojnë avantazh.
“I gjithë përparimi që kemi arritur si vend në tregun e punës, siguri, ushtri, të gjitha këto rrezikohen në nëntor”.
Disa demokratë që mund të kandidojnë për presidencën folën për të ardhmen e partisë në një konferencë kohët e fundit në Uashington, mes së cilëve, senatorja nga shteti Masaçusets, Elizabeth Warren.
Senatorja Warren tha se demokratët përballen me një rrugë të vështirë këtë vit për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe të Senatit.
“Nuk mund ta bëjmë këtë rrugë, duke shpërfillur miliona amerikanët që janë të indinjuar dhe të frikësuar nga dëmi që ky president dhe Partia e tij Republikane i kanë bërë demokracisë sonë. Ne nuk mund ta injorojmë dhe as nuk duhet ta injorojmë”.
Një kandidate tjetër e mundshme, senatorja nga Nju Jorku, Kirsten Gillibrand, parashikoi se këtë vit demokratët do të përfitojnë nga votueset gra të mobilizuara.
“Dhe arsyeja që do ta rimarrim kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve e ndoshta edhe të Senatit është se kemi një numër rekord grash të mrekullueshme kandidate në gjithë vendin dhe ka një valë të fuiqshme grash aktiviste që do t’ia dalin”.
Por një demokrate tjetër që ka shanse të jetë në garën e 2020-ës, senatorja nga Minesota, Amy Klobuchar, tha se votuesit duan më shumë sesa një retorikë anti-Trump.
“Atyre nuk u pëlqen se si ai sulmon njerëz të pafajshëm dhe do ta kundërshtojnë. Por ne nuk mund të shpenzojmë gjithë kohën duke u ankuar që ai është atje. Ai është presidenti dhe ne duhet të paraqesim një alternative”.
Ashtu si shumë presidentë para tij, zoti Trump duhet të presë që republikanët të shënojnë humbje në zgjedhjet e Kongresit këtë vit, thotë analisti John Fortier.
“Ai ka bazën me vete, por pala tjetër është shumë e motivuar të jetë aktive. Dhe në gjithë zgjedhjet speciale kemi parë që demokratët janë të motivuar të votojnë kundër tij. Mendoj se baza e tij do ta mbëshesë por është para tjetër që ka entuziazmin”.
Por edhe demokratët kanë sfidat e tyre, përfshirë atë për të bashkuar fraksionet që mbështetën Hillary Clintonin dhe Bernie Sandersin në vitin 2016, thotë eksperti David Abraham.
“Partia Demokrate nuk ka pasur shumë për të ofruar dy vitet e fundit dhe pjesa e saj tradicionale ende vazhdoj të shpenzojë energji për të mos lejuar krahun e vet të majtë që të mbizotërojë në parti”.
Mund të duket herët por Presidenti Trump dhe një numër demokratësh që synojnë ta sfidojnë atë, që tani e kanë hedhur vështrimin tek zgjedhjet e 2020-ës.