Gjykata Apelit nesër do të vendosë mbi ankesën e Abdylfeta Alimit ndaj vendimit të Këshillit Penal për vazhdimin e masës së paraburgimit si i dyshuar për terrorizëm më 27 prill. Familja e Alimit i cili më 27 prill shpëtoi deputetin Ziadin Sela ka ofruar si garanci shtëpinë. Edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela ka ofruar shtëpinë e tij si garanci për lirimin e Abdylfeta Alimit. Avokati i Alimit, Donço Nakov para trupit gjykues në Apel shpjegoi arsyet se pse Alimi duhet liruar nga paraburgimi. Sipas tij, ka dëshmi të mjaftueshme që tregojnë se Alimi është plotësisht i pafajshëm dhe se natën e 27 prillit ka mbrojtur deputetët.
Më vjen turp të përsëris arsyet pse Abdylfeta Alimi duhet të lirohet nga paraburgimi. Nuk ka bazë motivi për terrorizëm dhe motivet politike kur bëhet fjalë për një shqiptar përball 5 mijë qytetarëve. Paradoksi qëndron në faktin se Prokuroria Publike e ka propozuar dëshmitar për rastin e Ziadin Selës, ku aty shfaqen video incizime të Alimit duke mbrojtur deputetët, ndërkohë Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion e ndjek për terrorizëm. Dy Prokurori demantohen mes vete. Kemi mbi 70 dëshmitarë që thonë se Alimi ishte në mbrojtje të deputetëve. Personat me vepra më të rënda janë liruar, Alimi qëndron në paraburgim. Çfarë arsyetimi është ai se nuk ka ofruar garanci të mjaftueshme. Sipas kësaj logjike, të gjithë të varfrit duhet burgosur në Maqedoni – tha Donço Nakov, Avokat.
I akuzuari Alimi kërkoi nga trupi gjykues që t’i mundësohet të qëndrojë pranë familjes së tij, në arrest shtëpiak ose masa tjera të kujdesit.
Isha në vendim tim të punës ku punoj mbi 10 vite dhe që asnjëherë nuk kam pasur asnjë vërejtje. Dy herë më kanë ftuar në Prokurori për deklarata dhe më kanë falënderuar për bashkëpunimin në drejtim të zbardhjes së rastit. Kërkoj të mbrohem në liri. Kërkoj të jem pranë familjes time dhe fëmijëve të mi. Për asnjë çmim nuk largohem nga vendlindja ime – tha Abdylfeta Alimi, i akuzuar.
Abdylfeta Alimi dyshohet për veprën terrorizëm. Alimi ishte i punësuar si sigurim i Kuvendit. Më 27 nëntor, gjykatësi i procedurës paraprake kërkoi arrestimin e Alimit, por i njëjti aso kohe gjendej jashtë vendit. Për të mos dyshuar organet e rendit, Alimi u kthye në vend dhe u dorëzua vullnetarisht. Ai dyshohet për mos veprim kur janë hapur portat e Kuvendit nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski, edhe pse Ligji mbi Parlamentin është shumë i qartë si cili potencon se personat e rendit në Kuvend nuk kanë të drejtë të ndërmarrin masa arresti apo pengese ndaj deputetëve në Kuvend.
Adrian Kerimi