Ballina Top Lajm Finalja e dialogut Beograd-Prishtinë: Ja ç’fshihet pas deklaratës së Thaçit se asnjëra...

Finalja e dialogut Beograd-Prishtinë: Ja ç’fshihet pas deklaratës së Thaçit se asnjëra palë s’do të fitojë 100%

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar në prag të Samitit të Sofjes se tashmë ka parë planin e perëndimit për Kosovën ku shpreh pakënaqësinë siç thotë në detaje të caktuara, homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi ka bërë një deklaratë që lë shumë pikëpyetje, ku thotë se “nga dialogu askush nuk do të fitojë 100 për qind”.

Opozita dhe analistët e shohin si deklaratë përmes të cilës kreu i shtetit po përgatit opinionin për kompromise të reja të dhimbshme me serbët, çka shprehen kategorik për një gjë të tillë.

Haxhi Avdyli, deputet i LDK-së thotë se nuk e di saktë se çfarë ka aluduar Thaçi por shton se presidenti duhet mbikëqyrur për veprimet që bën.

“Kosova ka bërë shumë kompromise dhe ka avancuar maksimalisht të drejtat e serbëve. Çdo lëshim i mëtutjeshëm në dëm të funksionalitetit praktik kushtetues të Kosovës i bën dëm konsolidimit të shtetësisë por në të njëjtën kohë nuk avancon drejtat e serbëve. Presidenti e di që nuk është autorizuar për kurrfarë lëshime tjera dhe do vëzhgohet me kujdes çdo veprim i tij. Të gjitha lëshimet që i ka bërë Thaçi kanë qenë në dëm të shtetit dhe shpesh me qëllime protagoniste”, thotë Avdyli për tesheshi.com.

Shqipe Pantina, deputete e Partisë Socialdemokrate shprehet se Thaçi në vijimësi dialogun e ka zhvilluar pa konsultim me akterë tjerë dhe në mungesë totale të transparencës.

“Shumë marrëveshje që ai ka nënshkruar kanë qenë të dëmshme për ne, dhe për temat që kanë qenë me interes për Kosovën ( siç janë të pagjeturit). Prandaj deklaratat e Thaçit nuk janë të papritura por janë sërish të dëmshme”, thotë Pantina për tesheshi

Faik Krasniqi, njohës i rrethanave politike mendon se presidenti po e përgatitë opinionin për kompromise të reja.

Ai e sheh të domosdoshme nxjerrjen e një rezolute të re nga Kuvendi i Kosovë para nisjes së fazës së dialogut me Serbinë, në mënyrë që mos të nënshkruhen marrëveshje të dëmshme si në të kaluarën.

“Hashim Thaçit si udhëheqës i dialogut duhet të mos i jepet mundësi për kompromise të dhimbshme në dëm të interesave të shtetit. Në të kundërtën ka rrezik që Serbia të përfitojë autonomi për serbët e Veriut, ose në rastin më të keq ta humbasim fare, në këmbim të një ulëse në OKB. Prandaj është e rëndësishme që çdo gjë të shkojë përmes Kuvendit”, thotë Krasniqi.

Kujtojmë se Thaçi e Vuçiç u takuan së fundmi në Sofje ku u pajtuan për vazhdimin e dialogut por që ende nuk ka një datë se kur do të nis e ashtuquajtura faza finale.