Më 28 maj të 2007, Prokuroria Speciale në Beograd kishte ngritur aktakuzë ndaj 28 personave përfshirë edhe Radomir Llabanin, i treti për nga pesha e krimit. Në aktakuzën e siguruar nga Kohavisioni tregohet se në atë kohë, Llabani kishte qenë në detyrën e zyrtarit për informim në Doganë të Serbisë dhe si i tillë, e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, raporton KTV.
Me qëllim të përfitimit personal, Llabani kishte kërkuar dhe pranuar para, në mënyrë që mallrat që i sjell në Serbi të mos i fusë përmes kontrollit të doganës, me qëllim të shmangies së taksës doganore dhe TVSH’së. Ai kishte bashkëpunuar ngushtë me dy koordinatorë të anti korrupsionit, Valibor Llukoviq dhe Dejan Ratkoviq, dhe në një nga rastet kishin futur mall nga Mali i Zi në Serbi duke iu shmangur doganës.
Derisa një pjesë të mallit e kishin sjellë fillimisht në Kosovë në emër të bizneseve të Kosovës me dokumente të falsifikuara vetëm sa për t’iu shmangur tatimit, po të njëjtën e kishin kthyer menjëherë në Serbi. Ata kishin arritur t’i shmangeshin edhe administratës së UNMIK’ut në atë kohë.
Më 26 prill të 2006, kishin arritur të sillnin përmes pikës kufitare në Rudnicë mbushje telefonike në vlerë të afër 34 mijë eurosh. Sipas mediave serbe, Llabani ishte arrestuar së bashku me grupin prej 17 personave në vitin 2006 derisa në 2012 pretendohet se Gjykata Themelore në Beograd e kishte dënuar. Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Llabanin gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, por Presidenti ka paralajmëruar se nuk do ta dekretojë pa u verifikuar e kaluara e tij.