Një orë stuhi e pazakontë breshëri shkatërroi kulturat bujqësore, vreshtat dhe pemët frutore në Kukur të Gramshit. Banorët e zonës thonë se breshëri kishte madhësinë e një arre, dhe një fenomen të tillë nuk e mbanin mend, as më të moshuarit. Ata kërkojnë evidentim dhe kompensim të dëmeve.
Një stuhi e pazakontë breshëri pranveror që zgjati për rreth një orë dëmtoi prodhimet bujqësore, vreshat dhe pemët frutore në Gramsh.
Epiqendra ishte në fshatrat e njësisë Administrative Kukur, ku dëmet janë të mëdha.
Siç tregojnë këto pamje të regjistruara të hënën por dhe dëshmitë e banorëve, breshëri kishte madhësinë e një kokrre arre, shkruan oranews.
Banorët thonë se ky fenomen nuk mbahej mend në këto anë.
Kulturat bujqësore, por edhe vreshtat dhe drurët frutorë janë dëmtuar plotësisht.
Kokrat e mbetura në pemë numërohen me gishta.
Fermerët thonë se dëmet janë të mëdha ndaj kërkojnë vlerësim e kompensim.
Stuhia shkaktoi rrëshqitje dhe për pasojë në disa akse rrugore që lidhin fshatrat me qendrën administrative pati vështirësi në qarkullim.