Duke filluar nga paraditja e kësaj të mërkure dhe për 24 orë, asnjë automjet nuk do të mundë të kalojë në kufirin Maqedoni-Greqi, për shkak se doganierët grekë janë përfshirë në grevën 24-orëshe që kanë shpallur për më 30 maj sindikatat e vendit. PK Mexhitlia është mbyllur prej mbrëmë në mesnatë, PK “Dojrani i Vjetër” nga ora 5, ndërsa PK “Bogorodicë” nga ora 7 e mëngjesit të sotëm.
Siç kumtojnë nga MPB-ja, shërbimet policore kufitare greke kanë njoftuar se për shkak të grevës së paralajmëruar të punonjësve doganierë grekë gjatë ditës trafiku në pikat kufitare me këtë vend fqinj do të ndërpritet. Sipas njoftimit të marrë, nga pikat kufitare të palës greke, do të jetë në ndërprerje i gjithë trafiku për automjete udhëtarësh dhe transportuese, si dhe për autobusë, ndërsa do të lëshohen automjetet e udhëtarëve vetëm në raste urgjente.