Ballina Aktualitet Lajme Reçica dhe Sellca presin Qeverinë

Reçica dhe Sellca presin Qeverinë

Ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël e premtoi edhe kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës në këtë fshat në kohën e fushatës për zgjedhjet lokale, duke nënvizuar se kjo shkollë do të jetë prioritet për Qeverinë

Urim HASIPI

Tetovë, 29 maj – Fshati Sellcë dhe lagjja Reçicë e Vogël ende janë në pritje se kur do të fillojnë punimet dhe kur këto dy projekte do të fillojnë të realizohen në praktikë. As në Reçicë as në Sellcë, nuk është nisur as nga pika zero. Për shkollën në Reçicë të Vogël vazhdojnë të jepen premtime të pafundme, kurse në terren ende asgjë konkrete nuk ka, shkruan gazeta KOHA. Në këtë lagje banorët që moti kanë kërkuar ndërtimin e një objekti shkollor, por gjithnjë institucionet kanë gjetur mënyra për t’ju shmangur këtij investimi. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, theksoi se kjo shkollë është prioritet i ministrisë dhe Qeverisë, por pa precizuar se kur një gjë e tillë do të ndodh.

“Të dy shkollat, si në Reçicë ashtu edhe në Sellcë, janë në prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por edhe të Qeverisë. Për këto dy projekte, në mënyrë më të detajuar do të informoheni nga zëvendëskryeministri Hazbi Lika dhe nga kolegët tjerë qeveritar dhe punojmë në mënyrë të vazhdueshme që të përmirësojmë infrastrukturën shkollore”, deklaroi Ademi.

Më herët, edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, theksoi se shkolla në Reçicë të Vogël është prioritet i mandatit katërvjeçar. Sipas kryetares Arifi, janë duke u bërë të gjitha përpjekjet që ky projekt të financohet nga buxheti i shtetit dhe presin që Qeveria të miratojë në programin e vitit vijues.

“Mendoj se me këtë mandat do përfundoj ajo shkollë. Siç e dini historinë e shkollës, katërvjeçarin e fundit ishte në programin për tu realizuar me grand kinez, dhe ne kërkuam nga qeveria që të tërheq nga realizimi i atij grandin, por të vendos në buxhetin e saj. Jemi duke përfunduar edhe një revizion të dytë të lejes meqenëse projekti ka leje, është i plotë dhe presim që Ministria e Arsimit ashtu siç ka thënë edhe Qeveria, që ky projekt të realizohet”, ka deklaruar Arifi. Ndërtimin e kësaj shkolle e premtoi edhe kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës në këtë fshat në kohën e fushatës për zgjedhjet lokale, duke nënvizuar se kjo shkollë do të jetë prioritet për Qeverinë. Edhe pse kishte një paralajmërim për një donacion të huaj se do të ndërtohet shkollë në këtë lagje të Tetovës, megjithatë deri më tash nuk është punuar asgjë në terren.

Madje, kishte deklarata të llojit se nëse nuk e financojnë kinezët, do ta ndërtojë Qeveria apo komuna, por sërish asgjë. Në ndërkohë, rreth 700 nxënës të kësaj paralagje tetovare mësimin e ndjekin në këtë shkollën fillore e cila ka më shumë se 1700 nxënës. Shkolla është ndërtuar në vitin 1969 me një kapacitet prej 700 deri në 800 nxënës, ndërsa tani numri i nxënësve është 1700, kurse gjysma e këtyre janë të lagjes Reçicë e Vogël. Prindërit e kësaj lagje që moti kërkojnë një shkollë, por assesi ky projekt të realizohet.

Nga ana tjetër, në fshatin Sellcë ku edhe atje është kërkuar shkollë e re për shkak se shkolla ekzistuese nuk i plotëson kushtet, sipas informacioneve zyrtare, për momentin janë duke u bërë analiza për qëndrueshmërinë e tokës në disa lokacione për shkak se në objektin që nisi të ndërtohet më herët, nuk mund të vazhdohet me punë sepse dheu është i rrëshqitshëm.

Objekti ekzistues ku mësojnë nxënësit e fshatit Sellcë është ndërtuar në vitin 1952 dhe prej atëherë disa herë janë bërë renovime të vogla. Ndryshe, kjo shkollë ka edhe dy shkolla periferike – një në Llacë dhe një në Vicë, ku mësojnë 576 nxënës dhe ka një kuadër prej 54 personave. Në shkollën qendrore të këtij fshati mësojnë 365 nxënës. Për objektet e reja shkollore në Reçicë dhe në Sellcë gjithnjë janë dhënë premtime se do të fillojnë të ndërtohen, por konkretisht nuk është bërë asgjë. (koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews