Emrin kjo xhami e ka marrë nga dijetari islam, mjeku dhe filozofi i njohur arab Ibn Ruschd, i njohur si Averroes (1126-1198), dhe poeti e dijetari i famshëm gjerman, Johann Wolfgang von Goethe.
Xhamia “Ibn Ruschd Goethe” ka hapur dyert të premten në Berlin, në hapësirat e kishës së dikurshme evangjeliste “Sankt Johannes”, në lagjen Moabit.
Në xhami do të falen bashkërisht burrat dhe gratë, aty do të ketë lexim e interpretim historik-kritik të Kur’anit.
Xhamia është për të gjithë e hapur, por jo për nikabin apo burkën.
Seyran Ates premton në “Spiegel” se “me nikab apo burka nuk do të hyjë askush në xhami”.
Në të njëjtën kohë me hapjen e xhamisë, Ates boton edhe librin e saj “Selam Frau Imamin” (“Selam zonja imame”).
Aty besimtarja myslimane shpreh zemërimin për tendencat fundamentaliste brenda islamit.
Shumica e imamëve në Gjermani kanë një marrëdhënie të vështirë me lirinë e fesë, barazinë gjinore e homoseksualitetin.
“Ekzistojnë vetëm komunitete konservatore që nuk lejojnë asnjë hapësirë për kritikë apo vënie në pikëpyetje”, shton ajo.
Seyran Ates mban një predikim në ditën e hapjes së xhamisë. 54- vjeçarja që kritikohet ashpër për qëndrimet e saj liberale të islamit ka marrë disa herë kërcënime për jetën.
Seyran Ates erdhi në Gjermani në moshën gjashtëvjeçare nga Turqia. Studimet e Juridikut ajo i financoi me punën në një qendër konsultuese për femrat nga Turqia.
Nga viti 1997 Ates është edhe avokate dhe lufton kundër dhunës familjare dhe martesave të detyruara.
Pas sulmeve terroriste në Londër e Mançester, ajo kërkon që myslimanët “të bëjnë më shumë kundër esktremizmit në islam”.
“Shumica e heshtur myslimane duhet të marrë përgjegjësi dhe të veprojë kundër kësaj”, thotë Ates.
Madje, ajo është e mendimit se “çdo mysliman sot duhet të reflektojë ndaj pyetjes: çfarë bën ti kundër asaj që feja jote keqpërdoret dhe diskreditohet?”