Në takimin të dytë ministror “Vishegrad-4 plus Balkan-4 plus” që po zhvillohet sot në Sunio, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kocias kërkoi një Evropë më të bashkuar.
“Qëllimi i BE-së duhet të jetë që t’i shërbejë më mirë qytetarëve të saj dhe të fuqizojë unionin në një botë që po ndryshon, duke u fokusuar tek njerëzit dhe mjedisi”, tha ai.
“Ne duam një BE më të bashkuar, që është më demokratike dhe me më shumë drejtësi sociale. Një BE që është më e fortë në botë dhe që kujdeset për qytetarët e saj. Kjo BE duhet të bazohet në parimet e ndihmës, që garantojnë pjesëmarrjen demokratike të shteteve, rajoneve dhe veçanërisht qytetarëve si dhe të tejkalojë kontrastin brenda saj, mes Jugut dhe Veriut, Lindjes dhe Perëndimit, zonave të pasura dhe të varfra.
Një BE që lufton mosdhënien e transparencës dhe korrupsionin, që synon të përmirësojë politikat e jetës së përditshme për qytetarët e saj dhe të japë prespektiva, aspirata pozitive dhe një vizion, veçanërisht për brezat e rinj”, theksoi ministri grek.
Në këtë diskutim për të ardhmen e Europës, foli për arsyet e krizave në BE dhe problemet e saj, për nevojëN për më shumë demokraci brenda institucioneve të saj.
Ai ngriti pyetje thelbësore dhe shqetësime në lidhje me funksionimin e saj të brendshëm dhe për marrëdhëniet e saj me shtetet që janë pjesë e prespektivës për zgjeri, si dhe për rolin e BE-së në botë, strategjinë e saj ndërkombëtare, politikën e saj të jashtme dhe politikën e mbrojtjes.