Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump nuk do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un muajin e ardhshëm në atë që ishte cilësuar si samiti historik. Lajmi u bë i ditur me anë të një letre që Shtëpia e Bardhë i dërgoi Kim Jong Un sot në mëngjes, raporton CNN.
“Duke u bazuar në zemërimin e madh dhe armiqësinë e hapur të shfaqur në deklaratën tuaj të fundit, unë mendoj se është e papërshtatshme, në këtë moment, që të zhvillojmë këtë takim të planifikuar prej kohësh”, shkruan Trump.
Capture
“Prandaj, ju lutem, le të shërbejë kjo letër për të njoftuar anulimin e samitit të Singaporit, për të mirën e të dyja palëve, por në dëm të botës”.
Trump dhe Kim kishin planifikuar të takoheshin për herë të parë në Singapor më 12 qershor. Sipas CNN Trump u tërhoq nga takimi pasi një zëvendës ministër i punëve të jashtme të Koresë së Veriut u përplas me zëvendëspresidentin Mike Pence të mërkurën.
Zëvendësministrja e Jashtme e vendit komunist e akuzoi Mike Pence për “doza budallallëku” dhe paralajmëroi mbi mundësinë e një “përplasjeje bërthamore” nëse diplomacia dështon.
“Peniani nuk do t’i lutet Uashingtonit për dialog, – tha Choe Son-hui. – E as nuk do të përpiqet ta bindë palën tjetër të marrë pjesë në bisedime”.
Trump dhe ndihmësit e tij u zemëruan nga deklarata dhe donin të reagonin me forcë, i thanë burimet CNN-it.