Ballina Bota “Në prag të Luftës së III Botërore, kërcënimi është real”

“Në prag të Luftës së III Botërore, kërcënimi është real”

Presidenti sirian Bashar al-Assad paralajmëron se ekziston një kërcënim serioz që konflikti në vendin e tij mund të zgjerohet dhe të çojë në shpërthimin e Luftës së III Botërore.

Ai i bëri komentet në një intervistë të dhënë kohët e fundit, në të cilën tha se tensionet mes SHBA dhe Rusisë kanë shkuar përtej Luftës së Ftohtë.

Duke folur për gazetën greke Kathimerini, Assad tha: “Padyshim që nuk është një luftë e ftohtë, është diçka më e madhe se një luftë e ftohtë, por më e vogël se lufta e mirëfilltë. Dhe shpresoj që të mos shohim një konflikt direkt mes këtyre superfuqive, sepse kur kjo të ndodhë gjërat do të dalin jashtë kontrollit për pjesën tjetër të botës”.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja “The Sun”, Assad shpreson që të evitojë ndërhyrjen e jashtme në anën e armiqve të tij, në mënyrë që të vazhdojë të qëndrojë në pushtet në shtetin tashmë të shkatërruan nga lufta.

Megjithatë është e vërtetë se gjatë viteve të fundit, Siria është kthyer në epiqendrën e tensioneve mes superfuqive botërore dhe atyre rajonale, që kërkojnë të kenë influencë.

Rusia dhe Irani kanë dërguar trupa dhe materiale për të mbështetur regjimin e Assad, që përballet me një rebelim të gjerë.

SHBA, Britania, Franca dhe Turqia, sëbashku me Arabinë Saudite kanë mbështetur grupet rebele që luftojnë kundër Assad.

Dhe me forcat e armatosura të kaq shumë shteteve aktive në Siri, prej kohësh ekziston frika se mund të çojë në përplasje dhe në shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore./tvklan.al