Mbështetësit e AfD-së, partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani u mblodhën ditën e dielë në rrugët e Berlinit për të protestuar kundër politikave të Angela Merkel, kryesisht për emigracionin.
Programi i kësaj force politike, që përfaqësohet në Bundestag nga një numër i konsiderueshëm deputetësh falë rezultatit historik që arriti në zgjedhjet e fundit, kërkon ashpërsimin e masave ndaj emigracionit, politika ekonomike protektsioniste dhe është kundër Bashkimit Europian.
Por, gjermanët e dinë më mirë se kushdo tjetër se politikat ekstremiste e me sfond racist, sidomos ato të djathta nuk të çojnë gjëkundi.
Për këtë, mbi 20 mijë antiprotestues u tubuan po në Berlin për të kundërshtuar pesë mijë protestuesit e AfD-së.
Protestuesit ekstremistë u mblodhën fillimisht në stacionin qendror hekurudhor të Berlinit dhe më pas udhëtuan me flamuj, parrulla dhe këngë patriotike drejt portës së Brandenburgut, pranë godinës së Parlamentit gjerman.
Por, përballë tyre, siç njoftoi policia u vunë rreth 20 mijë antiprotestues kryesisht të rinj, që vë edhe njëherë në dukje konfliktin e brezave në Gjermani.
AfD ka një historik të shkurtër, por të “larmishëm” në politikën gjermane. U themelua në vitin 2013, në kulmin e krizës financiare që kishte prekur gjithë Europën. E shfrytëzoi këtë krizë për të dalë me një program kundër Bashkimit Europian dhe pro shkëputjes prej tij.
Pas fluksit të emigrantëve në vitin 2015 shtylla kryesore e programit të saj ndryshoi menjëherë dhe nga një parti anti-BE u shndërrua në një parti antiemigracion dhe anti-BE gjithashtu.
Ajo që vihet re nga analistët është se mbështetës së kësaj force janë kryesisht gjermanë të moshuar dhe nga ish-Gjermania Lindore. “Demokraci, jo Merkelatorship”, ishin disa nga parrullat e mbajtura prej tyre në duar.
Berlinezët iu kundërpërgjigjën protestës me të paktën 13 antiprotesta të organizuara në pikat kryesore të kryeqytetit.
“Duam që të dëgjohemi dhe të dëbojmë nga këtu fjalimet dhe gjuhën raciste”, thanë antiprotestuesit.