Qytetarët shqiptarë hedhin vrer ndaj përkthimit të propozimit të ri të emrit të shtetit. Qytetarët e quajtën tallje me gjuhën shqipe dhe bastardim përkthimin nga “Ilinden” në “Ilinditase”. Ata madje thonë se edhe propozimi “Ilindenska” nuk përfaqëson karakterin shumë etnik dhe shumë fetar.
Shiko, për kombin tonë nuk është i mirë sepse nuk përfshihemi askund. Ky shtet a vetëm i maqedonasve është apo është multi etnik? Sipas meje duhet të jetë Ilirida, shum shkurt.
Për neve shqiptarët është njëjtë. E pranuan ose jo ajo është e vendosur dhe nuk varet nga ne. Unë nuk ua kishe dhënë edhe grekëve se edhe ata nuk e meritojnë.
Ilindenska është katastrofë për ne si popull shqiptar po edhe nuk prish punë sepse ja psh. Më herët ishte Cërna Gora tani është Montenegro.
Emrin e ri? E kanë vonuar por për shqiptarët nuk më duket i përshtatshëm. Unë ia kisha lënë Ilirida.
Si t’i ndërrohet emri? Le të mbetet ky që është. Nuk duhet ta pranojnë shqiptarët, por neve po flemë jemi në gjumë edhe Ramazani tani na ka zënë. Janë bërë bashkë.
Si për të gjithë ashtu edhe për mua, në përgjithësi. Çfarëdo që bëhet dashtë Zoti të jetë mirë të jemi në rrugë të drejtë”
Nuk e di si do ta pranojë popullata shqiptare që shteti të thirret “Ilindenska Makedonija”. Në shqiptarët ku po mbesim, çfarë emri të vendosim ne. Atëherë për neve mbetet të jetë Ilirida – shprehen qytetarët e anketuar.
Të parët që morën sihariqin për propozim emrin e ri, madje duke e marrë si akt të kryer, në rrjetin social facebook ishin dy zyrtarët e BDI-së, Bujar Osmani e Artan Grubi. Njëri zv.kryeministër e tjetri shef kabineti i kreut të BDI-së Ahmeti. Në profilin e Osmanit, komentuesit ironizuan dhe komentuan në forma të ndryshme e madje edhe duke propozuar se si duhet zgjidhur çështja e emrit. Edhe në profilin e deputetit Grubi qytetarët i kujtuan se propozimi “Ilinditase” nuk përputhet në gjuhën maqedonase dhe angleze. Grubi fillimisht propozimin e prezantoi si një akti i kryer por më pas duke i kthyer përgjigje komentuesve, duket se reteron nga qëndrimi i tij duke trumbetuar se ky është vetëm një propozim mes kryeministrat maqedonas dhe atij grek dhe se nuk ka asgjë përfundimtare. Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2014, kur BDI qeveriste me VMRO-në, në mbledhje të Qeverisë partnerët e koalicionit ishin marrë vesh për ndryshimin e stemës shtetërore duke vendosur një luan, për të cilin zyrtarët e BDI-së kishin tentuar t’i bindin qytetarët se luani ka elemente shqiptare.
Adrian Kerimi