Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, vlerësoi sërish nga Uashingtoni, ku ndodhet në vizitën e parë zyrtare të një ministri të mbrojtjes së Maqedonisë, pas më shumë vitesh, se vendi e meriton anëtarësimin në NATO.
Në pres konferencën pas takimeve të para që ka zhvilluar me zyrtarë të lartë, Sheqerinska tha se ftesa për në Aleancë do të kontribuonte jo vetëm për sigurinë në Maqedoni, por për sigurinë e të gjithë rajonit.
Gjatë vizitës, Sheqerinska ka qëndruar edhe në Vermont, ku u takua me komandantin e gardës nacionale, Stiven Krej, dhe guvernatorin, Fil Skot. Me gardën e Veromntit, Maqedonia ka bashkëpunim të shkëlqyer 25-vjeçar dhe tashmë rreth 7 mijë anëtarë të ARM-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë njohur me standardet, taktikat dhe teknikat e punës së kësaj garde, të forcave të armatosura të ShBA-ve dhe NATO-s.
Sheqerinska në Uashington takon edhe sekretarin amerikan të mbrojtjes, Xhejms Matis, që shënon edhe takimin e parë dypalësh zyrtar me sekretar amerikan të mbrojtjes pas shumë vitesh. Në takim do të konfirmohet partneriteti strategjik midis Republikës së Maqedonisë dhe ShBA-së.
“Qëllimi im është të kërkoj mbështetjen e partnerit strategjik të Maqedonisë, ShBA-ve, në prag të Samitit të NATO-s.
Maqedonia e ka merituar vendin në Aleancë, ne kemi punuar shumë. Treguam se Maqedonia është partner i përkushtuar në të cilin anëtarët e Aleancës mund të mbështeten. Besojmë se ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO do të kontribuonte për stabilitet në vendin tonë, por edhe në stabilitetin e të gjithë rajonit, e do të ishte edhe në interes të ShBA-ve. Implementimi i reformave në sektorin e mbrojtjes zhvillon kapacitetet dhe aftësitë e ARM-së në pajtim me standardet e NATO-s, me ç’rast morëm mbështetje të madhe nga Qeveria amerikane.
Më shumë se dy dekada, Maqedonia dhe ShBA-të kanë bashkëpunim në sektorin e mbrojtjes, bazuar në partneritetin dinamik, i cili është në interes të paqes, lirisë dhe sigurisë në korniza më të zgjeruara”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska./am/