Vetëm disa momente pasi fitoi zgjedhjet paraprake në Kaliforni, për të cilat shumë thanë se i patën hapur rrugën drejt sigurimit të emërimit të partisë së tij, në atë kohë si kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale, Robert F. Kennedy u vra. Vdekja e tij, dy muaj pas vrasjes së Martin Luther Kingut, la plagë të thella që kanë lënë gjurmë edhe sot, pas 50 vjetësh në Shtetet e Bashkuara.
1968-a ishte një vit i trazuar. Një vit i tronditur nga lufta në Vietnam, protesta racore dhe vrasja e Martin Luther Kingut, ikonë e të drejtave civile.
“Ne që e jetuam vitin 1968, e kujtojmë çmendurinë, ëndrrat dhe ankthet e asaj kohe. Dua ta përsëris, jemi jetuar me ankth,”- thotë historiani David Nasaw.
Me ardhjen e qershorit, edhe Robert Kennedy, i cili për një moment ofroi një dritë shprese për shumë amerikanë, gjithashtu u vra – vetëm dy muaj pasi njoftoi kandidaturën e tij për president.
“Unë nuk kandidoj për president vetëm për t’iu kundërvënë një kandidati tjetër, por për të propozuar politika të reja” – tha Kennedy.
Robert Kennedy po sillte një valë ndryshimesh, duke mbështetur të drejtat civile, me fushata kundër varfërisë dhe duke folur hapur kundër luftës në Vietnam.
“Shpresoj që të dyja palët do të përpiqen që t’u japin fund vrasjeve sa më shpejt që të jetë e mundur,”- tha Robert Kennedy.
“Pesëdhjetë vjet më parë, duke pasur parasysh tensionet racore, ideja që zezakët të mendonin se një politikan i bardhë ishte i mirë, ishte vërtet një arritje” – thotë autori i biografisë së Kennedit, Lerry Tye.
Larry Tye shton se Kennedy ishte duke ndërtuar një koalicion me diversitet racor, të amerikanëve të shtresës së mesme, liberalë, të rinj dhe mbështetës të pakicave.
“Ai po bashkonte rrymat e ndryshme të Amerikës. Po bënte diçka që nuk e ka bërë ndonjë politikan tjetër në 50 vitet e fundit, duke u treguar njerëzve të vërtetat e papëlqyeshme, që ata nuk donin t’i dëgjonin” – thotë Larry Tye.
“Ky brez nuk mundi të krijojë shumicën e kushteve që na kanë sjellë sot këtu ku jemi. Por ka përgjegjësinë që t’i zgjidhë ato.”- tha Kennedy.
Më 6 qershor të vitit 1968, objektivat e senatorit Kennedy patën një fund tragjik.
“Me vrasjen e tij morën fund disa shpresa për të ardhmen. Shumë të rinj, që sot nuk janë më të rinj, hoqën dorë nga idealet e tyre. Ata mundën ta shihnin Tokën e Premtuar, që ja rrëmbyen. Mes tyre ishin të bardhë dhe zezakë, të cilët besonin tek ndryshimi” – thotë historiani Nasaw.
Zgjedhjet presidenciale i fitoi republikani Richard Nixon. Lufta e Vietnamit do të vazhdonte edhe për shtatë vjet të tjerë.
“Unë mendoj se Bobby do të kishte qenë kandidati demokrat për zgjedhjet e 1968-ës dhe jam i bindur se ai do t’i kishte fituar zgjedhjet. Kam bindjen se Amerika në atë kohë do të ishte bërë një vend i ndryshëm. Dhe sot, pas 50 vjetësh, ndoshta nuk do të përballeshim me të njëjtat çështje të ndarjeve racore, varfërisë dhe të gjitha problemet që na irritojnë, në se do të kishim filluar t’i trajtonim ato që në vitin 1968,”- thotë biografi i Kennedit.
Pas funeralit të tij New York, trupin e senatorit Kennedy e sollë me tren në Washington D.C., ndërsa rreth 2 milionë njerëz qëndronin përgjatë shinave gjatë gjithë rrugës, në respekt të tij.
Ishte një moment uniteti, por ndarjet sociale dhe politike, kundër të cilave luftoi Kennedy, do të vazhdonin për vite me radhë./ VOA/