Xhavit Haliti, një figurë e lartë e PDK’së dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, është përfshirë kohët e fundit në një debat rreth fondeve të dhëna për luftën nga shqiptarët gjithandej botës dhe dyshimet për keqpërdorimet e tyre.
Haliti kishte pasur fillimisht një përplasje në Kuvend me deputetin e LDK’së, Anton Qunin, rreth një shume që supozohet ta ketë marrë Haliti gjatë luftës.
Ndërkaq, gazetari nga Shqipëria, Flamur Zevaj, ka publikuar një dokument që sipas tij dëshmon që Haliti ka prona të paluajtshme në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Sipas dokumentit që mban emërtimin Kartela e Pasurisë së Paluajtshme, nën emrin e Xhavit Mehmet Halitit për pronësinë e banesës prej 68.2 metrash katrorë në Rrugën e Durrësit në Tiranë.
“Njeriu i sekreteve, na doli me prona në Shqipëri, Xhavit Haliti, ky njeri “misterioz” dhe i përfolur për shumë histori para/gjatë/pas luftës në Kosovë. Në daljen e tij te fundit në media, mes tjerash tha se “për parat e popullit shqiptare të shpenzuara para dhe gjatë luftës NUK DUHET ME FOL, janë SEKRET”, ka shkruar Zevaj.
“E për çfarë duhet të mbesin sekret nëse ato janë shpenzuar si duhet. Unë dyshoj se shuma të mëdha parash kanë përfunduar në xhepat e disa prej drejtuesve të politikës tashmë në Kosovë, të cilët në asnjë rast nuk kanë dhënë shpjegime për pasurinë e tyre. Meqenëse Haliti tha që “parat e luftës nuk duhet folur” e ai i di me mire arsyet pse, unë them po për pasurit e tij në Shqipëri a duhet te flas”, ka thënë ai.
“Me poshtë keni dokumentet që provojnë se Xhavit Mehmet Haliti ka disa prona në Shqipëri të blera në kohë të ndryshme. Sipas këtyre letrave rezulton se ai disponon dy apartamente në Rrugën e “Durrësit” në Tiranë me sipërfaqe 68.2 m2 dhe 51.2 m2”, ka thënë gazetari Tiranas.
Në këtë dokument figuron data 7 mars 2001 si kohë kur është lëshuar kartela për posedimin e banesës nga Xhavit Mehmet Haliti.