Emërtimi i gjuhës maqedonase dhe periudha e mbajtjes së referendumit për emrin në Maqedoni mbajnë peng nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare mes Shkupit dhe Athinës.
Zv/kryeministri maqedon Bujar Osmani konfirmoi atë që shkruhej në media se pala greke nuk pranon përkthimin në gjuhë të huaj të emërtimit për gjuhën maqedonase. Ata propozojnë që në dokumentet ndërkombëtare të shkruhet me shkrim latin “makedonski”. Po ashtu Athina kërkon që marrëveshja të miratohet me referendumin popullor të propozuar nga kryeministri Zaev, para samitit të NATO-s, periudhë gjatë të cilës të bëhen edhe ndryshimet kushtetuese.
Mediat thonë se është rënë dakord që emërtimi i ri shtetëror të jetë “Republika e Maqedonisë Veriore”, sikurse edhe shtetësia. Kryeministri Zoran Zaev thotë se po pret konfirmimin e grupeve negociatore për të përcaktuar me homologun grek Aleksis Cipras, vendin dhe datën e nënshkrimit të marrëveshjes. Ambasadori amerikan Xhejms Bejlli dhe shefja e diplomacisë europiane Federika Mogerini i bënë thirrje palëve të përmbyllin sa më shpejt marrëveshjen në të mirë të progresit të dy vendeve.
Tv Klan