Ballina Bota Kim Jong Un kthehet në shtëpi/ Irani paralajmëron liderin korean (VIDEO)

Kim Jong Un kthehet në shtëpi/ Irani paralajmëron liderin korean (VIDEO)

Pas takimit me Donald Trump, Kim Jong Un ka lënë Singaporin për t’u kthyer në Korenë e Veriut. Ndërkohë, Irani i ka bërë thirrje udhëheqësit që të mos i zërë besë presidentit amerikan, i cili mund ta anulojë marrëveshjen, sikurse bëri me Teheranin.

Lideri koreano-verior Kim Jong Un ka lënë Singaporin dhe është nisur drejt Penianit, pas takimit historik me presidentin Donald Trump. Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave Kim është larguar nga qyteti-shtet gjatë natës, me orën lokale. Kanë qenë dy avionë privatë të “Air China” që janë ulur në Singapor pasditen e së martës, për të marrë delegacionin koreano-verior.

Ndërkohë, qeveria e Iranit i ka dërguar një mesazh Kim Jong Un, ku e fton që të bëjë kujdes, pasi presidenti Trump mund ta anulojë marrëveshjen brenda pak orësh. Teherani zyrtar ka cituar si shembull eksperiencën e tij, duke e këshilluar Kim një muaj pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. “Personit me të cilin zoti Kim Jong Un ka negociuar nuk i dihet kurrë.

Nuk ka asnjë garanci që ai nuk do ta anulojë marrëveshjen ende pa u kthyer në Shtëpinë e Bardhë”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë iraniane, Mohamad Bager Nobakt për agjencinë e lajmeve “IRNA”. Zëdhënësi ka vënë në dyshim besueshmërinë e presidentit Trump jo vetëm karshi vendeve të tjera. “Ky njeri nuk përfaqëson popullin amerikan, që me siguri do të distancohet prej tij në zgjedhjet e ardhshme”, ka shtuar Nobakt. /abcnews.al