Ballina Aktualitet Lajme Marrëveshja për emrin nënshkruhet në Prespë, ja kush janë të ftuarit special

Marrëveshja për emrin nënshkruhet në Prespë, ja kush janë të ftuarit special

Marrëveshja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë do të nënshkruhet të shtunën më 16 qershor në Prespë. Në këtë ngjarje që është vlerësuar si historike janë ftuar Sekretari Gjeneral i OKB-së, Antonio Gutieres, ndërmjetësi në bisedimet për çështjen e emrit Metju Nimic, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini dhe komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Hahn.

Është paraparë që marrëveshjen ta nënshkruajnë shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas, ndërsa në Presë do të jenë edhe kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.

Varësisht se si do të kalojë takimi i Ciprasit me liderët e partive politike dhe fjalimi i tij në Kuvend, është e mundur që nënshkrimi të anulohet për të dielën më 17 qershor.

Marrëveshja në fjalë, përmbajtja e së cilës tanimë është bërë publike, përmban edhe renditjen e obligimeve që kanë marrë palët për zbatimin e saj deri në fund. Detyra e parë pas nënshkrimit zyrtar, do të jetë ratfikimi i marrëveshjes në Parlamentin e Maqedonisë dhe më pas do të duhet të informojë Athinën zyrtare për ratifikimin.

Më pas, sipas marrëveshjes së dakorduar, pala e dytë, siç quhet Maqedonia në këtë marrëveshje, do të fillojë organizimin e Referendumit, ndërsa pas përfundimit të Referendumit menjëherë do të fillojë procedurën për ndryshime kushtetuese.

Marrëveshja

“Pala e dytë ndryshimet kushtetuese do t’i përfundojë komplet deri në fund të vitit 2018”

Pasi që të përfundojnë të gjitha këto procedura në Maqedoni dhe pasi Shkupi zyrtar të njoftojë Athinën edhe për ndryshimet në pjesën ligjore, atëherë në Parlamentin grek do të propozohet ratfikimi i marrëveshjes. Pas gjithë këtyre hapave, emri i ri Republika e Maqedonisë së Veriut do të përdoret edhe zyrtarisht.

Marrëveshja

“Pasi kjo marrëveshje të hyjë në fuqi, palët do t’i shfrytëzojnë emrin dhe termet e Nenit 1(3) në të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale, institucione dhe forume, duke përfshirë të gjitha takimet dhe korrespodencat, në të gjitha marrëdhëniet e tyre bilaterale, me vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara”

Në marrëveshje është paraparë edhe ndryshimi i dokumenteve personale të cilat parashihet që të renovohen më së voni deri në 5 vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje./Shenja.tv