Në pritje të finalizimit të marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrit, Athina vlon nga reagime të ndryshme. Lideri i partisë së koalicionit qeveritar, “Grekët e Pavarur”, Panos Kamenos tha se pos termit “Maqedoni” asgjë nga marrëveshja eventuale nuk është kontestuese për partinë e tij, por se gjithsesi nuk do ta pranojë të njëjtën. Kamenos u shpreh skeptik nëse marrëveshja do të kalojë referendumin e Shkupit.
Jam në komunikim të vazhdueshëm si me Ciprasin, ashtu edhe me Kociasin. Vlerësoj se në asnjë rast kjo marrëveshje nuk do të pranohet në referendum ose nga shumica në Kuvendin e Shkupit. Shoh kushte që janë mjaftë të fuqishme sa i përket asaj që ka të bëjë me prejardhjen sllave, gjuhën sllave, pastrimin e historisë së Maqedonisë, të Aleksandrit të Madh, Filipit e kështu me radhë. Këso kushte që Greqia i ka përfshirë në propozimin e saj, nuk kam parë deri tani – tha Panos Kamenos, “Grekët e Pavarur”.
Ndërkohë përgjegjësi për politikë të jashtme në Demokracinë e Re opozitare, Jorgos Kumucakos kërkon debat në Kuvend para nënshkrimit të marrëveshjes eventuale.
Cipras nuk ka legjitimitet politik ta obligojë shtetin. Kërkojmë debat urgjent në Parlament, që populli grek para se të obligohet të kuptojë se çfarë përmban marrëveshja. Kërkesa jonë do të vërtetohet në mënyrën më zyrtare, në rast se Cipras nuk telefonon Micotakisin – deklaroi Jorgos Kumucakos, Demokracia e Re.
Ndërkohë euro-deputeti, Knut Flakenshtajn në seancën e Parlamentit Evropian apeloi që të njihet progresi i arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, për çka sipas tij në Samitin e Qershorit Shkupit duhet t’i jepet datë për fillim të negociatave./am/