Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ku po mbaheshin tri interpelanca, raporton Periskopi.
Gjatë fjalimit të tij, Mikullovci tha se Haradinajt asnëjherë nuk do t’ia falë votimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, me të cilën thotë se Kosova humb territor.
“Zotëri Ramush po të drejtona me ti nëse më lejojnë se po du me të pas më të afërt e me qenë më intim. A pom leni me fol, me leje. E kam marrë fjalën. Para 90 viteve, Noli i shkruajti do vargje, thu ti i ka shkru për ty. Vendi dridhej, ai mbeti se nuk trembej nga tërmeti. Thonë në ushtri, e thonë u vra po ti s’vdiqe o baba.
Shumë herë prita me ra Qeveria jote Ramush, po nuk ra. Deputetët serbë thanë po tërhiqemi nga koalicioni, thash ra Ramushi. Po nuk re. Ministrat e tu ta bonën pas shpinës, i deportuan gjashtë qytetarë turq dhe na morën fytyrën para krejt botës, edhe unë thash ra Ramushi. Po ti Ramush nuk re.
Kur filozofi i vjetër grek, Seneka bëri vetëvrasje, në letrën lamtumirëse shkruante: Im zot, ta fali që vrave nanen tane, ta fali që e dogje Romën, po jo që më detyrove me t’i lavdëru poezitë e tua. Unë Ramush ta fali që e hollove buxhetin e Kosovës, ta fali që e emërove një batalion zëvendësministra, e këshilltarë.
Po nuk ta fali kurrë që ndërrove qëndrimin ndaj Demarkacionit me Malin e Zi. Sa ishe në opozitë i gjuajte hartat e bërtitke se ai kufi nuk duhet të votohet. E kur u bëre kryeministër, i gjuajte hartat e the që ky kufi duhet të votohet. Vetëvendosje nuk e votoi, i ruajti dy gishta fytyrë.
Këtë Ramush s’muj me ta fal. Si mik e jaran i joti e kam një propozim. Dil në foltore edhe thuju deputetëve ju me votën tuaj ma dhatë postin e kryeministrit, unë atë post po ua kthej se s’po mund të jem kryeministër, s’po di, s’po du. Jep dorëheqje Ramush. Kjo është për të mirën tane, për të mirën e Kosovës”, ka thënë Mikullovci në fjalimin e tij.
Atij i është kundërpërgjigj kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se ka konsideratë për deputetin më të vjetër të Kuvendit të Kosovës.
“I dashur Adem, me ty kam konsideratë. Para do ditë i kemi pasur disa opsione që një Qeveri i dërgon Qeverisë tjetër për njoftimin e ratifikimit të marrëveshjes. Letra që ne i kemi dërguar Malit të Zi, ka qenë edhe korrigjimi aty. Publikohet ajo letër najherë. Deklarimet për këtë temë, mirë e kanë. E kam veç një pyetje. A mërziteni nëse përnime korrigjohet kufiri. Çka bahet?”, ka thënë kryeministri Haradinaj./Periskopi/