Ballina Aktualitet Lajme Mosdekretimi, ligji për Marrëveshjen me Greqinë pritet të rivotohet javën e ardhshme

Mosdekretimi, ligji për Marrëveshjen me Greqinë pritet të rivotohet javën e ardhshme

Pas mosdekretimit të ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë nga presidenti Gjorge Ivanov, i njëjti është kthyer në Kuvend për rishqyrtim, ndërkaq seanca plenarë pritet që të caktohet javën e ardhshme, shkruan Portalb.mk.

“Të hënën kemi koordinim të rregullt me kryetarin e Kuvendit dhe aty pritet që të vendosim se kur do të vendoset në rend dite pika për marrëveshjen”, thotë shkurt për Portalb.mk, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi.

Nga LSDM thonë se ende nuk kanë informatë se kur pritet që të caktohet seanca plenare për marrëveshjen me Greqinë.

“Nuk e dimë se kur do të caktohet seanca, nuk kemi diskutuar për këtë çështje”, tha për Portalb.mk, deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekri.

Ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, e cila mes tjerash parasheh ndryshimin e emrit kushtetues, nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, nuk është dekretuar nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.

Sipas procedurës, afati përfundimtar për caktimin e seancës kuvendore për të njëjtën është më 20 korrik, ose 30 ditë nga dita e votimit të parë.

Sipas kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, në rast të vetos së presidentit të shtetit, ligji përsëri shkon në procedurë kuvendore, por atëherë do të duhet të votohet me shumicë absolute nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht do të duhet që të marrë së paku 61 vota. Ligji në këtë rast përsëri dërgohet te presidenti, i cili sipas Kushtetutës, e ka obligim që ta nënshkruajë.

Megjithatë, praktika thotë se presidenti di edhe ta shkelë Kushtetutën, që do të thotë se edhe në këtë rast të mos e nënshkruajë dekretin, ashtu siç është rasti me ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ende është i bllokuar te presidenti.