Në Gjykatën Penale janë duke u shfaqur audio dhe video nga marrja në pyetje e dëshmitarit të mbrojtur Haki Aziri nga 7 maji 2012.
Paraprakisht në pyetjen e prokurores së PPS-së, Fatime Fetai u përgjigj dëshmitari Ahmet Bekir, i cili në seancën e kaluar derisa dëshmoi për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës u alivanos.
Ai para gjykatës në mënyrë konfuze rrëfente për ditën e vrasjes. Tha se i ka parë djelmoshat atë pasdite dhe se prej tyre dhe prej miqve kanë kërkuar bukë për të bërë peshkim.
Ai tha se kur janë larguar rreth orës 19 i kanë par djelmoshat se si qëndrojnë shtrirë në bark, por nuk janë ndalur pasi janë frikësuar. Rrëfeu se kanë takuar një njeri me pushkë automatike, i cili pasi i ka pyetur se si quhen u ka thënë të shkojnë që të mos i vrasë.
Bekir theksoi se nuk i kujtohen detajet, pasi që ka ndodhur para gjashtë vitesh, si dhe se është analfabet dhe nuk i kupton mirë një pjesë të pyetjeve të prokurores Fetai.
Para gjykatës sot dëshmi dha edhe dëshmitari Sasho Lazarevski, fqiu i njërit prej djemve të vrarë.
Ai tha se dy orë para se të vriten djemtë ka qenë për peshq në liqen, ndërsa më pas ka shkuar në shtëpi. Shtoi se ka qenë me barkë në liqen dhe se kur ka shkuar në shtëpi nuk ka pasur peshkatarë.
Në seancën e kaluar janë marrë në pyetje tre dëshmitarë, të cilët më 12 prill 2012 kanë peshkuar në Liqenin e Smillkovës.
Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës më 12 prill të vitit 2012, kur ishin vrarë djemtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandër Naçevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, ishte hapur lënda “Monstra”, ndërsa me burgim të përjetshëm ishin dënuar Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviqi dhe Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i pezulloi aktgjykimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri, si dhe iu caktoi masa parandaluese. Për gjykatën ende janë të pakapshëm Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviqi pas të cilëve janë shpallur fletëarrestime ndërkombëtare.