Kosova po përballet me rënie të popullsisë, sidomos viteve të fundit. Kjo vërtetohet si nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ashtu edhe nga shumë raporte ndërkombëtare.
Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Rifat Blaku, profesor i ekonomisë dhe demografisë, nënvizoi se shqiptarët lindin përgjysmë më pak se para 40 vjetësh.
“Sa më i zhvilluar të jetë shteti, sa më shumë të ketë të punësuara femra, shtimi natyror vjen duke rënë, duke u qetësuar dhe duke u stabilizuar.
Kurse në periudhën e përparme ishte situatë shumë e rëndë në aspektin social dhe normat ishin si në shtetet e prapambetura të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine. Aktualisht popullsia e Kosovës dhe përgjithësisht e kombit shqiptar ka arritur në një fazë e cila njihet si fazë e pjekurisë demografike”, theksoi ai.
“Ka rënë më dukshëm edhe mortaliteti si shkak i rregullimit të standardit shëndetësor”, shtoi ai.Sipas tij, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, të dhënat demografike tregojnë se pas 30-40 vjetësh, këto vende do të preken me depopullim.