“Ramazani i bekuar është një shans i artë dhe një dhuratë prej Allahut që zemrat dhe gjuhët të shpëtojnë nga sëmundjet dhe urrejtjet me të gjitha llojet e tyre”.
Kryeministri Rama zgjodhi këtë hadith të Shejh Abdu Rrezak El-Bedr në iftarin e shtruar nga komuniteti mysliman i Elbasanit për të nënvizuar se Muaji i Ramazanit është një muaj kthjelltësie dhe lehtësimi prej trazimeve.
Rama e përforcoi mesazhin me vargjet e dijetarit të shquar të letrave shqipe, Naim Frashëri, që shkruante: “Po të nderojë njeriu-njerinë, e ka nderuar edhe Perëndinë. Në zemër tënë e gjejmë Zonë, shtëpija e tij është zemra jonë”.
Kryeministri nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, duke e lidhur edhe me integrimin e vendit.
Rama: Siç shkruan, mbase më katoliku midis katolikëve, At Gjergj Fishta, islami është i pandashëm nga shpirti i vetë kombit tonë. E pikërisht ai thotë: “Iftari na bashkon në sofër si dritat e kandilave, që si varg yjesh lidhnin minaren e Xhamisë së Fushë-Çelës me këmbanaren e Kishës së Gjuhadolit”.
E ndërsa vendi ynë, sot ndodhet gjithmonë e më pranë familjes së bashkuar të Europës, së fundmi, pas rekomandimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, pikërisht kjo bashkëjetesë përbën një vlerë jashtëzakonisht të çmuar që Shqipëria e mishëron dhe e eksporton në një Europë të sfilitur nga një rrekje gjithmonë e më insistuese në një vijë ndarëse mes vizionit të bashkëjetesës dhe vizionit të mbrapshtë të islamofobisë.
Ajo që Shqipëria ka në dorë të tregojë me forcën e shembullit të saj është që islami i vërtetë është feja e dijes dhe e përsosmërisë morale, është një fe që nuk njeh dhunë dhe që nuk ka të bëjë asgjëkund dhe asfare me ata që mbjellin gjak në rrugët e Europës, apo të botës së lirë në emër të tij.