Një azilant shqiptar, është kthyer në hero në Francë.
Ai ka arritur të shpëtojë dy familje, pas përmbytjeve të fundjavës që përfshinë rajonin e Mayenne-s gjatë fundjavës që lamë pas.
Heroi shqiptar quhet Florim Shehu dhe është nga Kosova.
Mediat franceze shkruajnë se në fillim ai u kujdes për fqinjin dhe dy fëmijët e tij, të cilët ishin të bllokuar në banesën e tyre për shkak të rritjes së nivelit të ujit.
Ai i mori dhe i strehoi në apartamentin e tij një kat më lart.
Më pas e mori në telefon djali i një fqinji tjetër, që jetonte në Paris.
Familja e tij me origjinë ukrainase e cila jetonte në komunën e vogël të Changé, ishte në telashe.
Florim shkoi t’i ndihmonte dhe ata.
Prindërit dhe një grua e re, të cilët jetonin në katin përdhes, ishin në telashe, pasi shtëpia iu ishte mbushur me ujë.
Dera ishte e mbyllur dhe nuk hapej, ndaj Florim i ndihmoi të dilnin nga dritaret.
“Është heroi ynë” thonë fqinjët për shqiptarin nga Kosova.
Florim humbi makinën në ngjarjen e së dielës.
Ai jeton prej tre vitesh në Francë, ku ka aplikuar për azil në prefekturën e Mayenne-s, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Me gjestin që bëri, nuk është çudi që tashmë ai të marrë lejen për të jetuar në France.
France 3 shkruan se ai është heroi i dytë brenda pak kohëve, pas Mamoudou Gassama, që u bë i famshëm pasi duke u kacavjerrë deri në katin e katërt arriti të shpëtonte jetën e një fëmije.(TemA)