Moska dhe Uashingtoni ranë dakord të mërkurën për një takim të afërt mes presidentëve Putin dhe Trump.
Kjo lëvizje pritet të shkaktojë shqetësim te aleatët e SHBA-ve dhe reagim të ashpër te kritikët e Trump-it në vend.
Sekretari për politikën e jashtme në Kremlin, Yuri Ushakov, pas takimit me këshilltarin amerikan për sigurinë, John Bolton, tha se takimi duhet mbajtur në një vend të tretë dhe për përgatitjen e tij duhen disa javë.
Moska dhe Uashingtoni do të njoftojnë sot se kur dhe ku do të zhvillohet ky takim.
Vetë Trump është shprehur se takimi ka gjasa të zhvillohet pas samitit të NATO-s, që mbahet në datat 11-12 korrik.
Ai ka përmendur Helsinkin si një nga vendet e mundshme për t’u takuar. Ndërsa zyrtarë të tjerë kanë thënë se Rusia ngul këmbë për kryeqytetin e Austrisë, Vjenë.
Si çështje që pritet të diskutohen në takim, Trump ka përmendur Sirinë dhe Ukrainën, por nuk ka folur për dyshimet e inteligjencës amerikane mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.
Trump dhe Putin janë takuar në nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të samitit të Azi-Paqësorit, që u mbajt në Vietnam.
Takimi i pritshëm Trump-Putin mund të shkaktojë shqetësim te aleatët e SHBA-ve, si Britania, që duan izolimin e Putinit apo që ia kanë frikën “sjelljes miqësore” të Trumpit me presidentin e Rusisë. (TemA TV)