Seancë dhe Akademi solemne janë mbajtur të dielën në hapësirën e kompleksit të Lidhjes së Prizrenit, në 140 vjetorin e saj. Por, organizimi jo i mirë bëri që të ketë edhe momente jo të këndshme, për çka u desh të intervenojë vetë kryeministri Haradinaj.
Aty fillimisht nuk ia dha fjala Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, ku më pas reagoi Ramush Haradinaj, duke kërkuar nga të ftuarit që të qëndrojnë ulur për t’ia dhënë fjalën Presidentit Meta. Pas tij në foltore si e pa ftuar doli një grua, e cila nisi të flasë. Ajo u identifikua si pasardhëse e gjeneral Mehmet Derallës (ish-ministër në qeverinë e Ismail Qemalit).
“Profesor, etnograf të nderuarit dhe të rrojtët rrogozit, kam fatin që jam pasardhësja e vetme e lindjeve të djemve të gjeneral Mehmet Deraallës, që iu besua posti i Ministrisë së luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit”, tha ajo gjatë fjalimit të saj në foltore. “I vetmi anëtar që përfaqësoi trojet që sot janë mbetur jashtë Shqipërisë Londineze, shpreh keqardhjen e thellë që jo vetëm në kohën e komunizmit, kam pasur babën në burg vetëm pse ka qenë djali i Mehmet Derallës”, shtoi ajo.
I pari reagoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tentoi të bisedojë me gruan, por ajo nuk e ndalte fjalimin e saj. Më pas shkoi kryeministri Ramush Haradinaj, i cili pas debateve me gruan, bashkë me sigurimin e larguan atë nga foltorja.
Kurse, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukaj tha se kishin një përzierje të seancës me Akademinë për shkak se po mbahen në të njëjtin vend. Gjithashtu, pas fjalimit të Haskukajt, ishte një i moshuar që iu ofrua të ftuarve në rreshtin e parë, ku sërish reagoi Ramush Haradinaj dhe i moshuari u largua nga sigurimi.