Ballina Bota Analiza A do të ndezin Mali i Zi dhe Shqipëria Luftën e Tretë...

A do të ndezin Mali i Zi dhe Shqipëria Luftën e Tretë Botërore?

Nga Kristaq Xharo  

Mjaftoi një intervistë e sinqertë e presidentit Trump në Fox News, menjëherë pas përfundimit të Samitit të NATO-s, që të binin një e nga një teoritë shkollarëve për luftën dhe konfliktet dhe për më tepër për Luftën e Tretë Botërore. Që nga mendimtarët e lashtë  Sunt Tzu, në klasikët Klausevitz e Jomin, e deri në gjeostrategët modernë Kisinger, Berzinski, Olbright e të tjerë filluan tu bien një e nga një të gjitha teoritë e tyre për luftën, paqen dhe strategjinë.   Një pyetje e sinqertë e gazetarit Tucker Carlson i Fox News për djalin e tij ushtar mori një përgjigje komplekse për mundësinë e Luftës së tretë Botërore, për NATO-n dhe për vendet e vegjël.

Së pari, në intervistë u krijua ideja se mjafton që në Mal të Zi dhe Shqipëri (ndërhyrja e gazetarit) ‘ … njerëzit janë të fortë…agresivë …dhe mund të bëhen edhe më agresivë…dhe ja fillon Lufta e Tretë”.   Kushdo e di mirë se cilat janë shkaqet dhe premisat për një konflikt, jo një luftë, e aq më pak jo një luftë botërore. Nuk është nevoja të lexosh Johan Galtung për “Teori dhe modele konfliktesh” që analizon qartë dhe shkëlqyer anatominë e një lufte, por brenda një shekullit të kaluar ndodhen dy luftëra katastrofike botërore, dhjetëra luftëra lokale e qindra konflikte, mjaft prej të cilave vazhdojnë ende. Në asnjërën prej tyre nuk është inati i njerëzve dhe agresiviteti i njerëzve në vendet e vogla, shkaktar i fillimit të luftërave. Ndërsa, në çdo rast luftërat botërore kanë si aktorë fuqitë e mëdha. Luftërat kërkojnë llogaritje komplekse, fuqi ekonomike, kapacitete njerëzore dhe luftarake mësymëse , por edhe strategji madhore. Luftërat kërkojnë aleatë dhe aleanca. Asnjë prej vendeve të vegjël, Mal i Zi e Shqipëri nuk i zotëron kapacitetet të tilla.  Mali i Zi ka 2 000 ushtarë dhe Shqipëria me gjithë mbështetje rreth 8 000. E sigurt që këto dy vende nuk mund ta  hapin Luftën e Tretë Botërore. Në luftë vendet hyjnë  për objektiva jetikë. Edhe në Ballkan asnjë vend nuk është përgatitur për një çmenduri të tillë. Pra nuk mjafton vetëm inati apo agresiviteti i njerëzve në vendet e vogla për të ndezur një konflikt të përbotshëm.

Së dyti, citojmë: Gazetari “Kështu le të mendojmë se Mali i Zi, i cili ju bashkua NATO-s vitin e kaluar sulmohet. Përse djali im duhet të shkoj në Mal të Zi të mbroj atë nga sulmi ?  “Trump përgjigjet:  “Ju kuptoj çfarë po thoni. Edhe unë kam të njëjtën pyetje…”

Intervista  zbulon  jo vetëm dilemën e gazetarit, por edhe të presidentit për angazhimin dhe ndihmën reciproke të vendeve të NATO-s në rast agresioni. Teknikisht do të supozoja se Mali i Zi dhe Shqipëria nuk presin një sulm direkt nga një vend i tretë, sepse kufizohen ose nga vende anëtar të NATO-s, nga vende ku NATO ka prezencë apo vende të vegjël që nuk kanë kapacitete luftarake mësymëse. Kështu që merakun e gazetarit mund ta qetësojmë. Ndërsa për  presidentin Trump është e vështirë sepse të qenit krah për krah është një detyrim.  Në të vërtetë ky angazhim sanksionohet në artikullin ‘5’  të traktatit të NATO-s, i cili konsiderohet edhe një nga obligimet më të rëndësishme të  NATO-s. Qëndrimi ndaj artikullit ‘5’,  ‘… sulmi ndaj një vendi është sulm ndaj aleancës..’ është në thelb  qëndrim ndaj vetë NATO-s. Jashtë këtij artikulli nuk mund të konceptohet qëllimi dhe funksioni i organizatës.  Dilemat ndaj artikullit për mbrojtje reciproke,  nga presidenti Trump,  filluan që gjatë fushatës së tij elektorale në korrik 2016 kur u hodh koncepti i ‘mbrojtjes me kushte’.

NATO nuk është në ditën e tij më të mirë, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenbeg. Divergjencat e thella midis vendeve të NATO-s në të dy anët e Atlantikut në tregti dhe në ekonomi e kanë thelluar hendekun midis tyre. Përderisa Trump e quan BE që përfshin   80% të vendeve të NATO-s si ‘armike’,  nuk duket se kjo i bën ata optimistë për NATO-n. Vendet europiane janë të bindura që nuk janë në gjendje të zbusin kritikat e Trump për NATO-n.  Këtë mund ta bëjnë vetëm amerikanët. Veteranët e NATO-s, Pompeu dhe Matis mund të bëjnë shumë më tepër në këtë drejtim.  Ndoshta me këtë ide, pak çaste më vonë se intervista  Pompeu do të shkruante në twiter:”NATO është aleanca më e suksesshme në histori…Dobësia provokon, forca dhe kohezioni mbrojnë…”.  Ndoshta, në të njëjtën linjë,  të martën, Senati (republikanë dhe demokratë) miratoi me një shumicë dërrmuese 97:2 (nga 100), një rezolutë që rikonfirmon angazhimin e SHBA ndaj NATO-s.  Frida Ghitis e “CNN” i shikon veprimet e Trump nga një kënd tjetër në ‘Strategjia Sekrete’ kur shprehet se Presidenti po përpiqet të shpërbëjë NATO-n. Nëpërmjet debatit për faktet financiare, që po e bën me zë të lartë, ai duket se po përgatit përkrahësit e tij në SHBA, për një vendim që do ta trondiste botën, dhe do ta bëjë atë një vendim shumë të rrezikshëm: tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Aleanca e Atlantikut të Veriut. Kjo në fakt, do të shkatërronte NATO-n përfundon Ghitis në ‘ Strategjia sekrete’. Që presidenti nuk ka ndonjë vlerësim të veçantë për organizatat ndërkombëtare këtë ai e ka deklaruar në mjaft raste dhe veprimet e tij e kanë vërtetuar.  Largimi nga marrëveshja e Parisit për klimën, largimi nga marrëveshja nukleare me Iranin,  largimi nga Këshilli i OKB, për të Drejtat e Njeriut, përfshirë këtu edhe cilësimet  pesimiste për NATO-n.

Së treti, gjatë intervistës krijohet ideja se për të shmangur Luftën e Tretë Botërore vendet e vogla edhe mund të sakrifikohen në emër të një çështje më të madhe Luftës së Tretë Botërore. Vendet e vogla përbëjnë më shumë se 70% të anëtarëve të NATO-s. Këto vende, të cilat sinqerisht,  besojnë se të qenit pjesë e NATO-s zgjidh dilemën e tyre të sigurisë. Brenda organizatës ato ndjehen të sigurta, jashtë saj në kufijtë e mbijetesës. Këto vende kanë histori, traditë e vlera jo më pak se vendet e tjera. Përgjatë historisë, por edhe tani intuita e tyre e mbijetesës  ka bërë që të jetojnë më gjatë se gjithë perandoritë… ato nuk do të mund të sakrifikoheshin për të mirën e më të mëdhenjve.  Është e vërtet se vendet e vegjël nuk kanë shumë alternativa zgjedhje strategjike. David Mitran shprehet se neutraliteti, pjesëmarrja në aleanca dhe partnershipi me aleatë strategjikë janë vetëm tre alternativa për strategjinë e vendeve të vegjël. Por, kur neutraliteti nuk funksionon (varet nga të tjerë), organizatat kalojnë në periudha krize apo pushojnë së ekzistuari, atëherë vendet e vegjël  do të rendin për të gjetur siguri pranë partnerëve strategjike. Edhe kjo zgjedhje ka koston e vet…

Në përfundim Mali i Zi dhe Shqipëria edhe sikur të ‘bëhen më agresivë’ nuk mund të ndezin Luftën e Tretë Botërore. Ato në kapacitete ushtarake janë më pak se 1913, përpara Luftës së parë Botërore dhe 1939 përpara Luftës së Dytë. Në rajon këto dy vende janë vendet më të vegjël dhe me më pak kapacitete se të tjerët. Gjithë sigurinë kombëtare e kanë të bazuar në NATO dhe vazhdojnë të besojnë se  NATO mbetet garant i sigurisë së tyre  kombëtare. Kapacitetet maksimale ushtarake të të dy vendeve arrijnë në afrimin e ushtarëve paqeruajtës për operacionet e aleancës. Ato nuk janë përgatitur për ndryshimin e madh…por edhe nuk do të jenë ndonjëherë gati për t’u sakrifikuar në emër të luftës, qoftë ajo edhe Lufta e Tretë Botërore.

@tn.lajmelokale
@tetovanews