Zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë nuk kanë dashur ta komentojnë opsionin e ndarjes së Kosovës ose të shkëmbimit të territorit me Serbinë. Ndërsa në Ambasadën Gjermane janë shprehur kundër ndarjes me arsyetimin se një gjë e tillë krijon potencial për efekt destabilizues në rajon dhe më gjerë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Pavarësisht se ditëve të fundit ka pasur deklarime të shumta rreth opsionit të ndarjes së Kosovës ose të shkëmbimit të territoreve me Serbinë në kuadër të fazës finale të dialogut, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka vendosur të mos deklarohet rreth këtij opsioni.
Të pyetur nga gazeta “Zëri” nëse SHBA-ja mbështet opsionin e ndarjes, duke mos saktësuar, zyrtarët e Ambasadës në fjalë kanë ripërsëritur deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ditë më parë tha se Kosova duhet të gjejë se cilat janë qëllimet e saj dhe të përpiqet të arrijë një konsensus rreth tyre.
Pavarësisht kësaj, Ambasada e Gjermanisë ka ripërsëritur qëndrimin e saj për “Zërin”, duke lënë të nënkuptohet se qëndron kundër ndarjes së Kosovës.
Në anën tjetër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pohuar se çështja e Luginës së Preshevës mund të bëhet temë e diskutimeve në Bruksel. Një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës, të cilët kanë vlerësuar se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet t’i bashkohen Republikës së Kosovës. Ndërkaq përfaqësuesit e opozitës në vend kanë thënë se në asnjë formë nuk duhet të cenohet integriteti territorial i Kosovës.
Gjermania, kundër ndarjes së Kosovës
Të pyetur nga “Zëri” nëse SHBA-ja e mbështet opsionin e ndarjes ose një marrëveshje të mundshme mes të dyja shteteve, e cila do të mundë të arrihej me ndarje ose me shkëmbim territoresh, nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, duke mos folur rreth kësaj, kanë ripërsëritur qëndrimin e ambasadorit dhënë ditë më parë.