Nga Bernard Guetta
Në lindje të Bashkimit Evropian shtrihet shteti më i madh në botë, Federata Ruse, kolona tjetër e kontinentit, bashkë me BE dhe 27 vendet anëtare të saj.
GDP e Rusisë nuk e kalon atë të një fuqie mesatare të BE. Sado gjigande që është, Rusia nuk është më një superfuqi, por pasuria e pabesueshme në gaz dhe naftë e nëntokës së saj, rilindja e ushtrisë, rezervat bërthamore dhe statusi i anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB, ku zotëron një të drejtë vetoje me të cilën abuzon vazhdimisht, e bëjnë një vend shumë të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Shqetësime legjitime
Ngjarjet e 12 muajve të fundit tregojnë se 27-shja është para një zgjedhje. Mund të vazhdojnë ta trajtojnë Rusinë si një shtet të vogël, ose mund të negociojnë me Moskën. Në rastin e parë, konflikti në Ukrainë do të shndërrohet në një luftë që s’ka fund dhe Rusia do të hapë vatra të tjera tensioni në vendet e perandorisë së dikurshme. Askush nuk do të fitonte, kjo është e vetëkuptueshme. Në rastin e dytë, BE mund të investojë në industritë dhe infrastrukturat ruse, duke marrë në këmbim një garanci furnizimi energjetik me çmime fikse.
Dikush do të fuste hundën dhe të thoshte që në këtë mënyrë do të përfitonte regjimi i Vladimir Putinit, që po bëhet gjithnjë e më shtypës.
Eshtë një shqetësim legjitim, por në thelb do të kishte të bënte me Rusinë, në mënyrë edhe më ambicioze, njësoj siç bëri Perëndimi me Bashkimin Sovjetik në rastin e Marrëveshjeve të Helsinkit. Në atë kohë, perëndimorët dhe rusët kishin pranuar si të paprekshme kufijtë evropiane, duke u angazhuar, në bazë të kësaj sigurie të përbashkët, që të zhvillonin bashkëpunimin e tyre ekonomik.
Tani mund të kemi të njëjtën qasje me Rusinë. Kjo nuk do të thotë të mbyllësh sytë para bëmave të regjimit, por do të stabilizonte kontinentin, duke i kthyer Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, në shtete me neutralitet të garantuar ndërkombëtarisht, me një angazhim nga ana e evropianëve për të mos i lënë të hyjnë në NATO.
Kështu do të fitonin të gjithë, sepse Rusia ka nevojë për investime dhe sepse BE nuk ka interes të lejojë që Moska të afrohet me Kinën dhe SHBA. Por nuk është gjithçka.
Me t’u siguruar stabiliteti kontinental, BE do të mund t’i dedikohej atij që duhet të jetë prioritet, krijimi i një partneriteti me bregun tjetër të Mesdheut, ose ajo Afrikë që mund të bëhet fati ose turpi i Evropës, një kontinent i dërrmuar nga kriza, ose një kontinent pak a shumë siç ishte Azia pas rizgjimit, lokomotivë e rritjes ekonomike botërore.
Evropa mund të bëhet qendra e botës, por që t’ia dalë, duhet të zgjedhë të ekzistojë, të bashkojë në vend se të ndahet. Të jesh a të mos jesh, kjo është dilema. /France Inter-Bota.al/