Ballina Bota Analiza ANALIZA: Trump-Putin, pse duhen shmangur marrëveshjet e rreme me Moskën

ANALIZA: Trump-Putin, pse duhen shmangur marrëveshjet e rreme me Moskën

Nga Janusz Bugajski

“Center for European Policy Analysis”

Në takimin e tij të ardhshëm në Helsinki të Finlandës, presidenti Donald Trump duhet të përqëndrohet tek veprat dhe jo fjalët e Vladimir Putinit. Përndryshe, Shtëpia e Bardhë, do të përsërisë gabimet e administratave të mëparshme amerikane.

Në skenarin e zakonshëm, çdo president i ri i SHBA-së beson se ai mund të jetë më i suksesshëm se paraardhësi i tij, në krijimin e një partneriteti me udhëheqësin rus. Besimi është shpallur, premtimet janë bërë, marrëveshjet janë gati për t’u arritur, duke anashkaluar aktet e mëhershme të agresionit të Moskës kundër fqinjëve të saj.

Kjo detantë e re i garanton Kremlinit qetësinë e duhur, për t’u përgatitur për ofensivën e tij të ardhshme, e cila do të çojë në një tjetër tensionim të marrëdhënieve dypalëshe, dhe gjithçka nis pastaj nga e para. Në vend se të përsëritet një cikël që e lejon Rusisë t’ia hedhë paq pas revizionizmit të saj territorial, dhe të krijojë terrenin për debstalitete të mëtejshme, administrata amerikane duhet të kërkojë rrugët më efektive për të mbajtur Moskën nën kontroll, në një kohë që avancon interesat e veta dhe të aleatëve të saj.

Në tërësi, ekzistojnë dy strategji kundërta për politikën amerikane ndaj Rusisë së Putinit: akomodimi perandorak ose këmbëngulja transatlantike. Në strategjinë e parë, politikë-bërësit llogarisin se një afrim me Moskën do të zvogëlojë rrezikun e konfliktit mes fuqive të mëdha, dhe do të sigurojë nisma konstruktive të përbashkëta.

Mjerisht, ata që e mbështetin një politikë të tillë, veprojnë mbi bazën e dy premisave të gabuara: atë sipas së cilës Kremlini është i interesuar për kompromise të përhershme, dhe se Rusia ka disa interesa të veçanta ndaj satelitëve të dikurshëm, të cilat Uashingtoni duhet t’i njohë dhe pranojë.

Në realitet, dredhia negociuese e Kremlinit, nuk synon të sigurojë përfitime reciproke apo objektiva “të favorshëm”. Ajo bazohet në llogaritjet e lojërave me shumën zero ose në formulën fitues-humbës, në të cilin Moska vlerëson se do të përfitojë nga një pezullim i përkohshëm i armiqësive me Perëndimin, edhe nëse nuk do të jenë arritur të gjitha synimet e saj ekspansioniste.

Ky është një aplikim i diktatit të Leninit, për të lëvizur “dy hap përpara, dhe një hap pas”, dhe nuk është asgjë më shumë se një pauzë taktike para ofensivës së ardhshme. Supozimi i dytë i gabuar, është se Rusia ka “interesa kombëtare” jashtë kufijve të saj.

Ai zvogëlon pavarësinë dhe sigurinë e të gjitha shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore, dhe fuqizon Moskën për t’u angazhuar në aventurat e saj perandorake. Politika e jashtme e Rusisë që kur Putin mori pushtetin gati 20 vite më parë, përfshin përcaktimin e politikave të huaja dhe të sigurisë së fqinjëve të saj, duke rregulluar shtrirjen e territoreve të tyre, dhe diktuar aleancat e tyre ndërkombëtare.

Janë bërë sugjerime për një “marrëveshje të madhe” midis Trump dhe Putin, që do të lejonte Moskën të pretendojë sundimin e saj në të gjithë territoret ish-sovjetike, në këmbim të premtimeve të përhershme për të bashkëpunuar në fusha të tjera.

Paradoksalisht, njohja e “interesave asimetrike” të Rusisë ndaj fqinjëve të saj, ka më shumë gjasa të rezultojë në një përplasje me NATO-n. Nëse Kremlini është i bindur se ka dorën e lirë për të ndërhyrë tek vendet përgjatë kufijve të vet, mund të bëjë llogari të gabuara, dhe të provokojë një përplasje të drejtpërdrejtë me shtetet anëtare të aleancës.

“Pazari i madh”, do të shndërrohej kësisoj në një dështim të madh, duke rritur shanset që Uashingtoni të përfshihej në një konflikt me Moskën. Në kontrast me një përqasje vetë-mposhtëse ndaj Rusisë, ndihma transatlantike do të forcojë Aleancën dhe interesat kombëtare të Amerikës.

Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara, pohon se Rusia është një rivale dhe një konkurrente, që synon të dobësojë ndikimin ndërkombëtar të Uashingtonit, dhe të ndajë SHBA-në nga aleatët dhe partnerët e saj. Në dritën e këtij vlerësimi të matur gjeopolitik, strategjia e Uashingtonit duhet të pengojë Kremlinin nga ndërmarrja e veprimeve sulmuese në Europë, të cilat mund të provokojnë një reagim më të ashpër amerikan.

Për të arritur këtë objektiv, lipset të konsolidohet mbrojtja e aleatëve kryesorë si Polonia, Rumania, dhe tre shteteve baltike. Disa masa tashmë janë marrë, për të mbrojtur në mënyrë më efektive sigurinë e këtyre aleatëve të pambrojtur të NATO-s, duke përfshirë edhe vendosjen e Pranisë së Pararojës së Përforcuar (eFP).

Por më shumë duhet të arrihet në vitet e ardhshme. Në veçanti, NATO duhet të rrisë aftësitë e saj për t’iu përgjigjur shpejt çdo lëvizjeje të mundshme ushtarake nga Moska. Përveç kësaj, Uashingtoni duhet të marrë parasysh përparësitë afatgjata të krijimit të një pranie më të përhershme ushtarake në Poloni, siç e ka kërkuar vetë Varshava kohët e fundit.

Ndërkohë, është i nevojshëm edhe një angazhim më i fortë për forcimin e sovranitetit shtetëror dhe sigurisë kombëtare të të gjitha vendeve të ish-bllokut sovjetik që kufizohen me Rusinë, veçanërisht partnerët e NATO-s si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia dhe Azerbajxhani, dhe përfshirja e gjithnjë e më shumë aleatëve të lëkundur rusë, si Bjellorusia dhe Armenia.

Një luftë e përtërirë që përfshin ndonjërin prej këtyre shteteve, mund të destabilizojë rajonin më të gjerë, dhe të vërë nën presion aleatët e SHBA-së. Një angazhimi më i madh politik, ushtarak dhe ekonomik, do të shërbejë si një pengesë për ndërhyrjen e Kremlinit.

Në thelb, s’ka asgjë të keqe në takimin me udhëheqësin rus, për sa kohë që Trump nuk i beson verbërisht fjalëve të Putinit, apo të bjerë në kurthin e Kremlinit për të dobësuar Europën, dhe zbehur lidhjen transatlantike.

Duke negociuar nga pozitat e forcës ushtarake, Trump duhet të tregojë autoritetin e tij, duke shënë sinjale të qarta të asaj që Uashingtoni pret nga Moska, duke përfshirë një tërheqje nga Ukraina, dhe duke i dhënë fund kërcënimeve ushtarake kundër të gjithë aleatëve të NATO-s.

Në të kundërt, ashtu si gjatë administratës së Obamës, Shtëpia e Bardhë do ta gjejë sërish veten të paralizuar, kur Putin të vendosë të nisë një sulm të ri ndërkombëtar. / Në shqip nga bota.al