Autoritetet britanike thanë se qasja ndaj informacioneve private të Facebook-ut, që ishin mbledhur nga kompania Cambridge Analytica pa lejen ose dijeninë e përdoruesve të platformës së medias sociale, ishte realizuar përmes kompjuterave që gjendeshin në Rusi dhe në vende të tjera ish-sovjetike.
Zyra qeveritare e Komisionerit të Informacionit, që po heton skandalin, tha në një deklaratë të mërkurën se “qasja tek disa nga sistemet e lidhura me hetimin ishte bërë nga adresa IP-je që gjendeshin në Rusi dhe zona të tjera” të ish-Bashkimit Sovjetik.
Në një artkull në Mars, gazeta “The New York Times” e përshkroi Cambridge Analytica si një firmë që “ofronte instrumenta që mund të identifikojnë personalitetet e votuesve amerikanë dhe të ndikojnë në sjelljen e tyre.” Facebook tha se rreth 87 milionë përdoruesve, shumica në Shtetet e Bashkuara, u ishin depërtuar të dhënat nga firma.
Christopher Wylie, një punonjës në këtë firmë që e demaskoi kompaninë, ka thënë se të dhënat e mbledhura mund t’u jënë dorëzuar operativëve rusë, në një përpjekje për të ndikuar tek votuesit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Wylie tha se të dhënat e mbledhura nga firma ishin përdorur për të krijuar një profil psikologjik të votuesit të mundshëm që pastaj do të përdorej për të vënë në shënjestër votues përmes reklamave të krijuara enkas.
Firma që tha se asnjë nga të dhënat nuk ishte përdorur në zgjedhje, ishte kontraktuar nga Presidenti Donald Trump gjatë fushatës. Steve Bannon, ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump, kishte qenë më parë anëtar I Bordit të Drejtorëve të Cambridge Analytica.
Megjithëse Cambridge Analytica u mbyll në maj, hetimi për operacionet e saj vazhdon.
Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller, po heton marrëdhënien e firmës me fushatën e zotit Trump, siç njoftoi ABC News në mars.
Damian Collins, një anëtar konservator i Parlamentit Britanik që po drejton hetimin parlamentar për incidentit, e konfirmoi të mërkurën përfundimin e Zyrës së Komisionerit të Informacionit.(VOA)