Pas hyrjes në një fazë të re të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit ka patur edhe reagime e komente të shumta nga klasa politike për ketë çeshtje se kush duhet të jetë drejtuesi i metëjshëm i bisedimeve.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se është dakord që dialogu me Beogradin të udhëhiqet nga Presidenti Thaçi.
“Megjithatë kërkoj që të ketë unitet në këtë proces dhe të ketë përkrahje edhe nga opozita”, tha shefi i qeverisë.
Haradinaj e ka komentuar edhe deklaratën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila ka thënë se në procesin e dialogut duhet të përfshihen edhe Kina dhe Rusia.
“Të dyja këto vende vetë janë tërhequr nga ky proces”, ka thënë Haradinaj për media, gjatë vizitës së tij në Rahovec, njofton Klan Kosova.
Ai tha se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë rezultate konkrete. Sipas tij ky proces duhet të përkrahet nga ata që e kanë nisur sikurse NATO, BE dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës.