Dy shokë nga Tetova e Maqedonisë, avokati Senad Idrizi dhe imami Amir Asllani, dëshironin të mbërrijnë me biçikletë në Meka të Arabisë Saudite për të kryer detyrën e haxhit.
Idrizi dhe Asllani, të cilët u nisën nga Tetova pas udhëtimit të tyre nga Shqipëria dhe Greqia, kanë mbërritur në Stamboll, ndërsa duke inçizuar udhëtimin e tyre synojnë të lënë kujtesë të mirë për gjeneratat e ardhshme.
Senad Idrizi, në deklaratën për Anadolu Agency (AA), tha se ai është avokat ndërsa merret edhe profesionalisht me alpinizëm, ndërsa shoku i tij Amir Asllani është imam. Ai tha se dëshirojnë të mbërrijnë në Mekë duke lëvizur pedalet.
Idrizi tha se janë nisur nga Tetova. “Kemi kaluar në Maqedoni, Shqipëri dhe Greqi, tash për momentin jemi në Turqi, në Stamboll. Motivi është i thjesht, e praktikojmë atë të cilën e ka praktikuar I Dërguari jonë, shokët e tij dhe të gjithë ata përpara neve deri në kohën para modernitetit”.
Ai tregoi se projektin për të shkuar në haxh me biçikletë e kanë përgatitur që 2 vite, potencoi se janë në dijeni për vështirësitë dhe parashikojnë që udhëtimi të zgjasë 40-45 ditë.
Idrizi gjithashtu tregoi se udhëtimin e tyre e shpërndajnë nga rrjetet sociale dhe kanë një mbështetje të madhe nga shumë persona dhe familjet e tyre.
Ai duke rikujtuar se një person më parë nga Bosnja e Hercegovina ka kryer haxhin duke ecur në këmbë nga vendi i tij, tha se kjo është hera e parë me biçikletë dhe dëshirojnë të jenë shembull për shumë njerëz.
Idrizi dhe Asllani, treguan se dëshirojnë që të arrijnë në Mekë pas një udhëtimi në 3 kontinente dhe 6 vende dhe të luten për muslimanët.