Të martën u hap në Pekin mbledhja e 8-të ministrore e Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, i cili mbajti fjalimin me titull “Të nxitim së bashku marrëdhëniet e partneritetit strategjik midis Kinës e vendeve arabe në epokën e re”, sipas CRI-së.
Në këtë fjalim kryetari i shtetit kinez shpalli se të dy palët kanë rënë dakord të krijojnë marrëdhëniet e partneritetit strategjik ndërmjet tyre, të mbështetura në bashkëpunimin e gjithanshëm e zhvillimin e përbashkët dhe të orientuara drejt së ardhmes.
Xi Jinping-u theksoi se nisma e propozuar nga pala kineze “Një brez, një rrugë” ka fituar përkrahjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë vendet arabe.
Vendet arabe ndodhen në kryqëzimin e linjave të “Një brez, një rrugë” dhe janë partnere të natyrshme të zbatimit të përbashkët të kësaj nisme. Zbatimi i nismës “Një brez, një rrugë” ka nxitur zhvillimin e marrëdhënieve midis Kinës e vendeve arabe dhe bashkëpunimi i gjithanshëm mes tyre ka hyrë në një fazë të re. Pala kineze dëshiron që, së bashku me vendet arabe, të forcojë ndërthurjen e strategjive dhe të veprimeve dhe të nxitë ndërtimin e “Një brez, një rrugë”, duke u bërë së bashku ruajtës të paqes në Lindjen e Mesme, mbrojtës të drejtësisë, nxitës të zhvillimit të përbashkët dhe miq të mirë që mësojnë nga njëri-tjetri.
Në mbledhje mbajtën fjalime edhe emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, bashkëkryetar i kësaj mbledhjeje nga pala arabe, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudit Adel al-Jubeir dhe sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Vendeve Arabe Ahmad Abdoul Gheit. Ata vlerësuan lart miqësinë tradicionale midis vendeve arabe e Kinës dhe u shprehën se bashkëpunimi dypalësh ka potencial të madh. Vendet arabe dëshirojnë të marrin pjesë në nismën “Një brez, një rrugë” dhe i miratojnë propozimet e presidentit Xi Jinping mbi krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta midis Kinës e vendeve arabe dhe të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit.
Tema e mbledhjes së 8-të ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe është ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë”, nxitja e përbashkët e paqes dhe e zhvillimit dhe nxitja e marrëdhënieve të partneritetit strategjik midis Kinës e vendeve arabe në epokën e re. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm afro 300 veta.