Nga Donald Lu*
Kryeministër Rama, Ministër Xhafaj, Drejtor i Përgjithshëm Veliu, kolegë ambasadorë,
Tetë muaj më parë u takuam për të dëgjuar Ministrin Xhafaj t’i shpallte luftë krimit të organizuar. Në atë kohë, premtuam burimet tona për të mbështetur ndjekjen e kriminelëve peshq të mëdhenj.
Shumë ka ndodhur në tetë muaj, por mbetet shumë më tepër për t’u bërë.
Së pari, kjo qeveri ka pranuar sfidën serioze që ka Shqipëria prej krimit të organizuar.
Së dyti, Shqipëria mbështeti arrestimin e trafikantit të madh të narkotikëve Met Kanani në Turqi. Më pas, banda e tij u arrestua këtu në Shqipëri.
Së treti, doganat shqiptare zbuluan 613 kile kokainë kolumbiane që çoi në arrestimin e trafikantit të narkotikëve Arbër Çekaj në Gjermani. Disa prej anëtarëve të bandës së Çekajt janë arrestuar dhe shpresojmë që në ditët e ardhshme do të arrestohen të tjerë.
Së katërti, kryebashkiaku Fran Frrokaj dhe ish-kryebashkiaku Elvis Rroshi po ndiqen penalisht. Emiljano Shullazi dhe Lul Berisha po gjykohen në gjykatë. Hetimi penal kundër ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla vazhdon.
Është shumë aktivitet për një periudhë të shkurtër kohe, por duam të shohim rezultate konkrete. Duam që peshqit e mëdhenj të ndiqen penalisht, të dënohen dhe të futen në burg. Ky do të ishte sukses.
Dua të theksoj një dështim të qeverisë, prokurorisë dhe policisë – dështimi për të arrestuar Klement Balilin. Dy vite më parë, DEA punoi me policinë greke për arrestimin e disa anëtarëve të bandës së Balilit në Greqi. Më pas, gjykatat greke e dënuan Balilin me një dënim të përjetshëm plus 15 vjet heqje lirie.
Balili është një bos i fuqishëm i krimit të organizuar me lidhje politike. Për dy vjet, qeveria, policia dhe prokurorët nuk kanë pasur aftësinë ose vullnetin që ta arrestojnë.
Askush nuk është mbi ligjin. I bëjmë thirrje Ministrit Xhafaj, policisë dhe prokurorëve që të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar pa mëshirë.
Në fund, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka thënë se planifikon të përfundojë këtë verë vetingun e kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo do të lejojë krijimin e shpejtë të KLP-së, SPAK-ut dhe të BKH-së. Ne kemi premtuar burimet e OPDAT-it, ICITAP-it dhe FBI-së për të mbështetur krijimin e këtyre institucioneve thelbësore.
Kokat e krimit duhet të kenë frikë. Drejtësia për ta po vjen.
*Fjala e ambasadorit Lu në tryezën e rrumbullakët për fushatën kundër krimit të organizuar.